Kriza ekonomike është shtruar këmbëkryq edhe në zonën Kamëz-Bathore, në periferi të kryeqytetit. Këtë situatë dramatike sipërmarrës të vegjël dhe të vetëpunësuar me biznes privat ja kanë pohuar me gojën e tyre kreut të Partisë Socialiste Edi Rama, gjatë takimeve që ky i fundit ka zhvilluar në këtë zonë, i shoqëruar edhe nga Sekretari i PS-së për Programin, Ilir Beqja dhe kryetari i PS për rrethin e Tiranës Pjerin Ndreu. Kryesocialisti Rama ka theksuar se hapi i parë për ta ndryshuar këtë situatë është lehtësimi i frymëmarrjes së biznesit të vogël, nëpërmjet heqjes së taksës së biznesit të vogël dhe rishikimit të tatim fitimit dhe më pas rritja e punësimit, për të rritur në këtë mënyrë fuqinë blerëse. Të vetëpunësuarit në biznesin e vogël, e kanë mirëpritur angazhimin e PS për të hequr taksën e biznesit të vogël, si një masë e parë për t’i ndihmuar ata të rimëkëmben. Nga ana Rama ka përsëritur një tjetër angazhim për t’i dhënë fund një herë e mirë të gjitha abuzimeve të shtetit, i cili merr borxhe në emër të shqiptarëve dhe pastaj i grabit këta të fundit për të mbushur arkën e boshatisur nga korrupsioni.