Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është nderuar nga Komunal e Gjakovës me titullin e Mirënjohjes. Titulli i është dorëzuar kryesocialistit nga kreu i komunës Gjakovë, Pal Lekaj gjatë një takimi të ngrohtë dhe mjaft miqësor që është zhvilluar sot paradite. Në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë, kreu i PS, i shoqëruar edhe nga sekretarët e PS-së, Blendi Klosi e Erion Veliaj si dhe nga deputeti Taulant Balla, kanë vizituar sot qytetin e Gjakovës, ku është stacionuar ekspozita e hapur nga Partia Socialiste në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe Drejtorinë për Kulturë në Gjakovë, “Flamuj shqiptarë, një itinerar historik nga 1912 – 2012”.
Takimi i zhvilluar ka kaluar në një frymë të ngrohtë dhe vëllazërore, ku është inkurajuar forcimin i mëtejshëm i marrëdhënieve të bashkëpunimit mes dy pjesëve të trojeve shqiptare. Kryekomunari i ka dorëzuar kreut të opozitës shqiptare titullin e akorduar nga Komuna e Gjakovës, ndërsa Rama i ka dhuruar kryekomunarit simbolin e shqiptarëve, Shqiponjën të punuar në filigramë. Sic është shprehur Rama, ka qenë e njëjta dhuratë që kishte zgjedhur edhe për Sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton, me të cilën është takuar pak kohë më parë gjatë vizitës që ajo zhvilloi në Shqipëri.
Gjatë takimit kreu i PS, Edi Rama është shprehur: “Unë jam i bindur që tani më që janë kryer 100 vjet të pavarësisë së shteti amë dhe kur vitet të tjera sfidash janë përara, ne kemi një shans dhe një detyrim historik që lirinë që tanimë e kemi në të dy anët e kufirit ta kthejmë në një fuqi të madhe transformimesh. Kemi nevojë që të projektojmë një të ardhme ku jo vetëm përmirësimet e infrastrukturës, por ekonomia jonë të shihet si një terren mundësish të përbashkëta, ku siguria jonë energjetike të jetë një qëllim i përbashkët, ku administrimi i pasurive tona natyrore të jetë pjesë e strategjive të përbashkëta, ku oferta jonë turistike të mos kufizohet nga kufirin zyrtar. Të mos harrojmë se në këto 100 vite kemi patur një periudhe, relativisht të largët nga sot, periudhën e viteve 20-30 kur oferta turistike e Shqipërisë ka qenë duke përfshirë edhe vetë territoret e Kosovës”.