I prononcuar këtë të enjte edhe në lidhje me qëndrimin e presidentit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama e ka konsideruar korrekt dhe brenda kornizës kushtetuese reagimin e presidentit të Republikës,për sa i përket përpjekjes për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike në të cilën ndodhet vendi.
“Është brenda kornizës kushtetuese, mendoj se ka qenë korrekt”, u shpreh Rama për Metën në emisionin ‘Open’ të Eni Vasilit.
Në lidhje me rrezikun e përsëritjes së konfliktit të vitit 1997, për të cilën ka paralajmëruar edhe presidenti, Rama tha: “Mendoj se e ka bërë për t’i dhënë më shumë peshë shqetësimit, por nuk besoj se ka lidhje me ’97-ën.”
Rama komentoi edhe mbi gatishmërinë e presidentit Meta për të shtyrë datën e zgjedhjeve lokale, duke theksuar se 30 qershori nuk ndryshon.
Rama tha:“Ne nuk kemi asnjë tundim për të vënë në dyshim datën e zgjedhjeve. Datën nuk e kemi caktuar ne, por e kemi ditur kur e ka përcaktuar presidenti. Kemi menduar për zgjedhjet, kemi punuar për zgjedhjet dhe jemi gati të shkojmë përpara atyre që janë pronarë të zgjedhjeve (qytetarëve)”, u shpreh Rama.
Kujtojmë se në prononcimet e tij, presidenti Meta ka ofruar dorëheqjen nga posti më i lartë i shtetit, nëse kjo do të ndihmonte në zgjidhjen e krizës, si dhe do ishte i gatshëm të shtynte zgjedhjet lokale nëse arrihej një marrëveshje midis partive politike.
