Partisë Socialiste, ka zhvilluar sot paradite në qytetin e Patosit Konferencën rajonale për prezantimin e programit për një Rilindje Shqiptare në fushën e naftës dhe hidrokarbureve. Kryetari i PS, Edi Rama është shoqëruar në prezantimin e planit për të rilindur këtë sektor mjaft të rëndësishëm të ekonomisë nga Sekretari për programin, Ilir Beqja, Sekretari për Sipërmarrjen, Arben Ahmetaj, si dhe deputetët Eduard Shalsi dhe Armando Subashi. Në Konferencë kanë marrë pjesë dhe deputetët e tjerë të qarkut Fier, të zgjedhurit vendorë, përfaqësues të PS-së në këtë qark si dhe inxhinierë, naftëtarë, specialistë të fushës dhe banorë të zonave naftëmbajtëse.
Arben Ahmetaj ka denoncuar faktin se nafta e Shqipërisë ka rënë në duart e një klike që e grabit atë përditë, duke i shkaktuar dëme të pallogaritshme ekonomisë dhe buxhetit të shtetit. Sipas tij, bazuar në statistikat zyrtare 100 mijë tonë naftë vidhen çdo vit, duke ikur kështu nga duart e qytetarëve dhe nga buxheti i shtetit. Pjesa e eksplorimit është edhe më e prapambetur, pasi në 20 vjet nuk është zbuluar asnjë pikë naftë e re, por vetëm janë shfrytëzuar burimet e mëparshme. Ndërsa deputeti Eduard Shalsi ka theksuar se megjithëse në vendin tonë ka 5 herë më shumë pika karburanti në raport me territorin se Kosova dhe 15 herë më shumë se sa Maqedonia apo mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian këtu cilësia e naftës është shumë e keqe duke u shkaktuar një dëm të madh qytetarëve. Shalsi ka denoncuar edhe skandalin më të fundit të qeverisë e cila ka seleksionuar në mënyrë abuzive një kompani, e cila do të merret me shenjimin e karburanteve. Ndërsa deputeti i zonës, Armando Subashi është ndalur në rëndësinë që ka zhvillimi i këtij sektori veçanërisht për banorët e zonave naftëmbajtëse, për punësimin e tyre, rritjen e mirëqenies, por edhe për përfitimet që do të kenë në investime publike.
Duke marrë fjalën në takim kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka evidentuar korrupsionin e thellë dhe praktikat abuzive të qeverisë me një pasuri kaq të rëndësishme të nëntokës shqiptare, siç janë nafta dhe hidrokarburet: “Ne nuk e ndryshuam sistemin që rafineria e Ballshit të punojë 30 ditë në vit. Nuk e ndryshuam sistemin që nga Albpetroli të dali zero fitim dhe zero kontribut për buxhetin e shtetit dhe për shoqërinë tonë në vit. Zero! Ne nuk e ndryshuam sistemin që ta japim naftën me koncesione nga të cilat përfitojmë si shtet minimumin e të drejtës sovrane. Minimumin!
Asnjë vend tjetër që ka naftë nuk ja lejon dot vetes këtë që qeveria e Shqipërisë i ka imponuar këtij vendi dhe kësaj shoqërie; Të koncensionojë një pasuri kombëtare strategjike siç është nafta dhe nga këto koncesione të përfitojë minimumin e të drejtës sovrane, për të shkuar deri në pikën që të privatizojë Albpetrolin, duke dorëzuar të drejtën sovrane dhe duke guxuar që ta kthejë Albpetrolin në ministrinë e Naftës, por me pronarë privatë. Nuk e ndryshuam sistemin për të mbërritur në këtë pikë të hallit ku Shqipëria të mos përpunojë dot asnjë ton naftë, të çojë jashtë 1 milionë ton naftë që nxirren jashtë çdo standardi, jo në formën e shfrytëzimit të burimit, por në formën e grabitjes së burimit dhe ndërkohë që eksporton 1 milionë ton naftë, eksporton 650 mijë ton në vit me dyfishin e çmimit që fiton nga eksporti. Ku është parë kjo?! Kjo mund të shihet vetëm në një vend të shitur të tradhtuar, të braktisur nga ata që e qeverisin për ta sunduar, për ta vjedhur, për ta rrënuar”.
Kryesocialisti ka renditur të gjitha hapat që do të ndërmarrë qeveria socialiste pas 23 qershorit për ta rilindur dhe vënë në efiçiencë këtë sektor jetësor për ekonominë e vendit:
“Brenda 300 ditësh ne do të realizojmë një ekspertizë të plotë në nivel qendror, të gjithanshme, ekonomike, financiare, ligjore, administrative, për të gjithë sektorin e naftës, nga një grup ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë. Do të angazhohemi që do të zbatojmë pikë për pikë të gjitha orientimet që do të dalin vetiu nga kjo analizë e plotë, e thellë dhe shteruese.
Do të kontrollojmë me rigorozitet se si janë zbatuar të gjitha kontratat e hidrokarbureve, si janë dhënë lejet për zhvillim-kërkim dhe si janë marrë licencat dhe do të zhbëjmë çdo praktikë që gjendet jashtë kuadrit ligjor të Republikës së Shqipërisë.
Për ne do të kishte mjaftuar vetëm pseudoprivatizimi i Albpetrolit për të ndërmarrë një nismë të plotë hetimi dhe gjykimi dhe për të parë mbrapa hekurave ata që morën pjesë në këtë mashtrim të madh të popullit shqiptar, qofshin ata që e projektuan nga ana e qeverisë atë privatizim, qofshin ata që përmes atij privatizimi në emër të pushtetit si sekserë tentuan të përfitojnë dhe qofshin ata që mashtruan popullin shqiptar, mashtruan shtetin shqiptar me një ofertë fiktive dhe qofshin ata që e garantuan ekzistencën e asaj oferte”.
Do të ndërtojmë një politikë qeverisëse të aftë që të rrisë investimet në kërkim-zbulim për t’i shtuar rezervat e naftës nga burimet e reja me investime private qoftë në stere, qoftë në det.
Do të ndërtojmë një politikë qeverisëse të tillë që nafta të bëhet pasuri reale e këtij vendi dhe e familjeve të zakonshme të këtij vendi.”
Rame mbaje llafin se coku harroni ju kur vini ne pushtet. Sikur nuk e ke me qejf ta zesh ngoje ate Tacin!