Kryeministri Edi Rama është nderuar me titullin “Honoris Causa” në një nga universitetet më të vjetra në Turqi. Ky titull jepet zakonisht për nder të personaliteteve.
Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e organizuar në nder të tij, kryeministri Rama theksoi se nëpërmjet bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh në Ballkan, të gjitha vendet së bashku kanë mundësinë historike t’i japin një vlerë të veçantë paqes, duke veçuar marrëdhënien e veçantë shqiptaro-turke si një aset i pazëvendësueshëm, në këtë drejtim.
Kryeministri Rama vlerësoi ndër të tjera se më shumë se kurrë qytetërimit i nevojitet aleanca e mendjeve dhe zemrave të bashkuara për një rend botëror ku ka më shumë respekt dhe barazi për njëri-tjetrin dhe për kulturën e gjithsecilit.
“Ky universitet është një nga shembujt e gjallë të ambicies së Turqisë së sotme, një shtet modern, i cili duhet të mbajë mbi supe një rol posaçërisht të rëndësishëm në rang global, në kohëra kur duket sikur po përballen qytetërimet dhe kur feja islame është njëkohësisht në shënjestrën e barbarëve që pretendojnë se janë të kësaj feje dhe të injorantëve që akuzojnë islamin se krijon barbarë. Turqia është vendi që vërteton më së miri këtë që thashë”, theksoi ai.
Universiteti ITY një prej universiteteve më të vjetra në Turqi, i themeluar në vitin 1773, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në formimin e brezave të shumë ekspertëve dhe specialistëve, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre në ndërtimin e shtetit modern turk./Dita/
