Kryeministri Rama mori sot pjesë në konferencën “Aktivizim kundër dhunës ndaj grave”. Rama kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve, në mënyrë që siç tha ai, t’i bëhet ballë kësaj sfide të gjerë e komplekse që lidhet me një trashëgimi të shekujve më parë.
“Jam i kënaqur për praninë e madhe të femrave në qeverisje. E shikoj me shumë respekt atë që gratë parlamentare kanë bërë së fundmi, për një bashkëpunim përtej partiak.
Cilësia e re që sjell prania e grave dhe vajzave në çfarëdolloj institucioni.
Çdo formë dhune ndaj grave dhe vajzave është një shkelje e hapur e të drejtave të njeriut. Pa u vetëdijësuar e gjithë shoqëria për të drejtat e grave dhe vajzave si të drejta të njeriut, përpjekja jonë e përbashkët në këtë luftë rrezikon të mbetet e padobishme.
Ndaj ne jemi të angazhuar dhe duhet të jetë për ne një sfidë shumë më e vështirë se për kombet e tjera, sepse lidhet me një trashëgimi të rëndë të shumë shekujve dhe dekadave më parë.
Ka shumë fusha në të cilat Shqipëria ka shënuar progres, por në këtë aspekt ka vetëm regres”, tha ai.
Rama theksoi se qeveria do të jetë këmbëngulëse për të vënë në shërbim të grave dhe vajzave, viktima të dhunës, ndihmë ligjore falas.
“Do t’i japim ndihmës ekonomike atë vlerë, që ajo sado e pakët në shumë, humbet rrugës nga kryefamiljarë të papunë e të dëshpëruar e përdorin këtë ndihmë për alkool apo për bixhoz. Plagë këto të një pjese të shoqërisë që për shkak të varfërisë është lehtësisht e prekshme prej tyre. Kalimi i ndihmës ekonomike si përgjegjësi e gruas në familje jo vetëm do të rrisë efektshmërinë e përdorimit të kësaj ndihme në funksion të ushqimit të familjes por të do rrisë edhe peshën e gruas”, tha ai.
