Në një intervistë për Zërin e Amerikës kryesocialisti Edi Rama ka deklaruar se në zgjedhjet 2013-të Partia Socialiste është e gatshme të bëjë aleancë me cdo forcë politike vetëm që të sigurojë rotacion politik.
Zoti Rama! Si do ta karakterizonit vitin 2012 nga këndvështrimi ekonomik, politik dhe social?
Për vendin ishte një vit i vështirë me një rënie dramatike ekonomike, me një borxh publik të rritur përtej mundësisë që ka vendi për ta përballuar borxhin, me një sipërmarrje të tkurrur shumë ndjeshëm, me një borxh të njerëzve në vështirësi ndaj dyqaneve të ushqimeve në rendin e rreth 150 milionë eurove, me disa politika shumë të dëmshme për vendin, të cilat kanë sjellë humbje jashtëzakonisht të rëndësishme të pasurisë së përbashkët dhe me një dështim të radhës në marrjen e statusit kandidat, apo mosmarrjen e statusit të kandidatit nga Bashkimi Europian.
E nisëm me ekonominë dhe po e vazhdojmë tek ekonomia, ku është edhe interesi kryesor i qytetarëve. Një vit i vështirë, siç thatë ju, me borxhe të shtuara, me kreditime dhe investime të pakësuara. Çfarë shkoi keq? Ku mendoni ju se qëndron burimi i kësaj problematike?
Fatkeqësisht janë provuar një më një të gjitha parashikimet tona për këtë rënie, sepse nuk janë dëgjuar parashikimet tona. Në vitin 2009 ne kemi bërë një aktivitet, që unë e çmoj si fort të rëndësishëm për të kuptuar atë që ka ndodhur, por edhe dallimin mes palëve, ku kemi adresuar domosdoshmërinë për të hapur sytë katër përballë krizës dhe për të mos lejuar që kriza ta gjente krejtësisht të lirë terrenin e veprimit. Por nga ana tjetër, duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm se Shqipëria nuk vuan sot krizën financiare globale, por vuan përkimin e kësaj krize me shterimin e një modeli ekonomik dhe social zhvillimi, që nuk ka më se çfarë i jep vendit.
Pati disa vite që qeveria nuk e pranoi se kriza ekonomike ishte e pranishme, sipas jush, kjo i vonoi masat parandaluese?
Ka dy anë: mospranimi i krizës dhe përpjekja për ta mbuluar krizën me propagandë, por edhe vijimi me të njëjtat politika a thua se s’ka krizë. Kjo sjellje ka shteruar forcat dhe sot vendi është tërësisht i zbuluar, i pambrojtur dhe i rrënuar përballë dallgës së krizës. Kriza është e dyanshme: sa është efekti i krizës financiare globale, që, ndër të tjera, pasqyrohet në rënien dramatike të dërgesave të emigrantëve, aq edhe përkimi i kësaj krize me shterimin e një modeli ekonomik që nuk ka çfarë i jep më vendit. Mos harrojmë se ka një sërë sektorësh që sot janë në krizë të thellë siç është sektori i ndërtimit që ishte një sektor kryesor në atë rritje ekonomike të një numri të konsiderueshëm vitesh, e cila nuk mund të vazhdonte të ishte e tillë më tutje.
Analistë kritikë nga shumica dhe opozita thonë që ndërsa qeveria e ka çuar “in extremis” entuziazmin mbi rezultatet e punës së vet, nga ana tjetër edhe opozita mund të kritikohet për nihilizëm apo skepticizëm “in extremis”. Çfarë meritash, apo çfarë rezultatesh i njihni ju qeverisë në punën e saj?
Në rast se unë do të bëja një sforco për të njohur diçka në përpjekjet e kësaj qeverie, besoj se çka mund të veçohet si pozitive i përket vitit të parë të mandatit të parë. Midis vitit 2005 dhe fundvitit 2006 janë marrë disa masa të rëndësishme që mund të konsiderohen si pozitive. Por me vendosjen e taksës së sheshtë besoj që ka filluar edhe një proces rrënimi, i cili ka rritur nga njëra anë barrën fiskale mbi njerëzit e zakonshëm dhe praktikisht ka bërë një spostim të barrës së përgjithshme fiskale në vend nga korporatat tek konsumatorët. Sot çdo njeri i zakonshëm, çdo rrogëtar, çdo njeri që merr një rrogë për një punë në sektorin publik apo privat taksohet më shumë se sa pesë vjet më parë, pra, para vendosjes së taksës së sheshtë. Nëse deri atëherë paguante për shtetin 32 lekë në 100 lekë, sot paguan 38 lekë në 100 lekë.
Zoti Rama, ju keni paraqitur dhe po shfaqni projektin tuaj të ri për një rilindje të Shqipërisë. Siç u shprehët ju, ekonomia dhe shoqëria shqiptare kanë probleme të shumta. Si do ta kryeni këtë kapërcim me reforma nga e njëjta bazë problematike?
Duke ndryshuar rrënjësisht politikën në raport me pasurinë, në raport me pasurinë e përbashkët në radhë të parë. Ajo është sot praktikisht një mall pa zot, që po grabitet dhe po shkatërrohet. Ne kemi sektorë strategjikë që sot janë në lëngim agonie; sektori energjitik, sektori i naftës, sektori i pasurive minerare. Ndërsa mbi tokë kemi pastaj një problematikë të tërë që lidhet më dërrmimin e mjedisit në kushtet kur ne duam të zhvillojmë turizmin, që lidhet më dërrmimin e tokës së bukës në kushtet kur në duam të zhvillojmë bujqësinë, që lidhet me shumë hallka të tjera të një zinxhiri, që duhet këputur dhe duhet ndërtuar mbi bazën e një politike të re, e cila me patjetër duhet të bazohet në vlerat dhe parimet e një të majte progresiste të shekullit të ri. Një e majtë e tillë nuk është peng i ideologjisë së të majtës klasike, sepse kohët kanë ndryshuar, por që është pragmatiste dhe efektive në masat e saj.
Nga ekonomia po kalojmë tek korrupsioni dhe disa mendime tuajat për reformat në drejtësi. Tashmë Këshilli i Lartë i Drejtësisë është thuajse krejtësisht i ri, duke filluar nga presidenti, nënkryetari dhe disa anëtarë. Po ashtu, sapo është zgjedhur edhe një prokuror i ri i përgjithshëm, etj. Sipas jush, sa shpresëdhënëse janë këto ndryshime në krye të drejtësisë për të përmirësuar punën e sistemit të drejtësisë?
Le ta themi hapur, Shqipëria sot e ka Presidentin e Republikës pjesë të ekzekutivit, një nga ministrat. Ndërkohë, që sistemi drejtësisë vetëm degradohet. Jemi përpara mbylljes së një viti ku ka nga njëra anë ka rezultuar me falje gjithë procesi i tragjedisë së Gërdecit dhe nga ana tjetër po rezulton një farsë e pashoqe procesi i tragjedisë së 21 janarit. Këto janë dy tragjedi që ky vend duhet t’i zgjidhë në mënyrë të drejtë, për të shpresuar të ketë drejtësi. Po ashtu jemi përpara mbylljes së një viti kur edhe një herë tjetër është çimentuar qartësisht ende më kultura e pandëshkueshmërisë, me faktin që sot Shqipëria nuk është në gjendje të japë asnjë provë të besueshme në Bruksel se i ka aftësitë për ta luftuar korrupsionin, se i ka aftësitë për të prerë lidhjet mes krimit të organizuar dhe qeverisë, lidhje të përcaktuara edhe në raportin e Departamentit të Shtetit, dhe se i ka aftësitë për të ndërtuar një kulturë ndëshkueshmërie, bazuar në parimin se përpara ligjit jemi të gjithë të barabartë. Kjo është edhe një nga arsyet themelore të refuzimit të aplikimit për statusin e vendit kandidat.
Gjatë kësaj kohe opozita ka qenë përballë një shumice me shifra të brishta dhe nuk shfrytëzoi aleanca fluide. Për vitin tjetër që po afrohet bashkë me zgjedhjet, çfarë mund të thoni për zgjerimin e koalicionit opozitar. Është thënë shpesh nga disa analistë që, nëse partitë e vogla do të bashkohen përreth Partisë Socialiste fitorja do të ishte e parashikueshme.
Ne jemi të bindur se viti 2013 do të jetë viti i ndryshimit dhe se zgjedhjet e 23 qershorit do ta mbyllin kapitullin e rrënimit të mëtejshëm, që është i lidhur me këtë keq-qeverisje. Ne do të krijojmë kushte për të hapur një kapitull të ri. nuk jemi në një normalitet demokratik, ku mund të kemi luksin që të kemi disa opozita. Jemi në një anormalitet demokratik, ku rotacioni politik është një domosdoshmëri, dhe madje është e para domosdoshmëri. Kjo do të thotë që janë kushtet për të krijuar një aleancë që shkon përtej dallimeve programore me synimin e garantimit të rotacionit. Për këtë arsye ne jemi tërësisht të hapur dhe mirëpresim çdo factor politik, që është i gatshëm të kontribuojë për rotacionin dhe për të hapur rrugën që Shqipëria t’i rikthehet një normaliteti, ku secili të ndjehet pak më mirë dhe më i lehtësuar në vendin e vet.