Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka drejtuar Forumin e Liderëve Botërorë në Universitetin e Kolumbias SHBA . Gjatë fjalës së tij, Rama ka folur mbi perspektivën europiane të zgjerimit me vendet e Europës Juglindore, duke vënë theksin tek besimi i tij, se Europa nuk është destinacion pranë nesh, por një destinacion brenda nesh.
“Ajo përfaqëson vetëdijen se veprimet tona të përditshme si vendimmarrës prekin jetën dhe mundësitë e njerëzve sot, por edhe të gjeneratës së të nesërmes, të gjeneratës tjetër të Evropës. Çelësi i axhendës së Europës Juglindore për zgjerimin duhet të jetë ky shqetësim, që e ardhmja e përbashkët e gjeneratës tjetër të Evropës po ndërtohet në vendet anëtare, po aq sa dhe në vendet kandidate, e po aq sa në vendet potencialisht kandidate, pra në Europën Juglindore. Dhe, pyetja që shtrohet nuk është sesi ta bëjmë Europën Juglindore gati për Bashkimin Europian, por se si mund të ndërtojmë Europën e Bashkuar të gjithë së bashku; se si mund të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët evropiane të gjithë së bashku”, tha Rama.
Ajo që pritet nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, që janë vende të cilat aspirojnë për anëtare në BE, është të sillen si të tilla, vijoi me tej kryeminstri Rama, duke vënë theksin tek fakti se kjo është e mundur pasi rajoni ka lënë pas konfliktet e vjetra.
“Me marrëveshjen e kohëve të fundit mes Serbisë dhe Kosovës, rajoni ynë mbylli njëherë e mirë një kapitull konflikti duke hapur një kapitull të ri për shqiptarët, shqiptarët e Kosovës, malazezët, serbët, maqedonasit, boshnjakët. Ky duhet të jetë fillimi i veprimit dhe sjelljes si vende kandidate. Dhe të veprosh si vend kandidat do të thotë të mos presësh se çfarë lloj legjislacioni do të propozojë Brukseli për ta adoptuar atë më pas, paçka nëse e zbaton apo jo. Sjellja si vend kandidat do të thotë të jesh palë aktive si në hartimin e këtij legjislacioni ashtu dhe në transformimin e tij në realitet në vendet tona. Sjellja si vend kandidat do të thotë të jesh i orientuar drejt rezultateve në procesin e përmbushjes së kritereve të anëtarësimit”, u shpreh Rama. / TCH

He is the man!
Per here te pare qe nje shtetar shqiptar flet pa kompleke, plot autoritet dhe elekuence sikur te ishte nje perfaqesues i nje shteti perendimor.
Go Edi!