Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vazhdoi prezantimin e programit në qytetin e Korçës. Rama duke prezantuar disa nga pikat kryesore të programit të PS, u ndal dhe në festimet e djeshme të PD me rastin e festës së demokracisë.
“Mos vallë ne e ndryshuam sistemin që të kalonim nga një pushtet që e ndalonte çdo gjë në emër të popullit në një qeveri që shet çdo gjë për të përfituar për vete. Ky ishte ndryshimi që ne kërkuam? Kjo ishte ëndrra europiane në vitin ‘90? Kjo ishte arsyeja pse në 22 mars shqiptarët në shumicë dërrmuese votuan PD për të ardhur sot në kohën kur ata që lindën atë ditë, që lindi demokracia, janë mbi 20 vjeç dhe të vetmen alternativë që kanë për të bërë lekë është të shkojnë nëpër pika bastesh dhe të shkojnë pas Cristiano Ronaldos e Leo Mesit dhe të thonë ‘aman fute që të nxjerr unë ndonjë lek’. Dhe nëse nuk i hyri Cristianos goli harxhojnë edhe ato pak lekë që ua kanë marrë prindërve duke u thënë, ‘mi jep se do dal me shoqet’ dhe lënë dhe shoqen pa takuar se s’kanë më lekë. Unë nuk e kam votuar as PD më 22 mars në atë kohë, por as PS nuk e kam votuar”, tha Rama.
Rama deklaroi para qytetarëve se pas 23 qershorit, do rilindin Shqipërinë, kurse demokratët duhet të rilindin PD-në.
“Ne të pranojmë që këta kanë shtruar 10 mijë km2, ndërkohë që Shqipëria 363 km2 dhe këta i bie që e kanë shtruar Shqipërinë, 333 herë lart e poshtë, e poshtë e lart, lart e poshtë e poshtë e lartë. Këta kanë bërë po kaq shumë rrugë sa për të shtruar rrugën nga Tirana në Tokio, pale të diskutojmë për gjithë këto vende pune që kanë bërë. Nëse kanë bërë 10 mijë i bie të shpojnë dhe tokën dhe të dalin nga ana tjetër. Se diametri i tokës është vetëm 12 mijë km, sikur ta shponin andej dhe të iknin në vend tjetër, nder të madh do i bënin këtij populli. Dhe e dini se ku i bie të dalin po e shpuan përtej, në Honolulu. Tamam aty ku mund të dalësh, aty kur je në garë me kinë për zhvillimin ekonomi. Ata e kanë zgjedhur rrugën e tyre, por ne do bëjmë çmos të shpëtojmë shumë nga ata që i shkojnë nga pas. Ndaj u them, miq të dashur demokratë, mbas 23 qershorit ne do rilindim Shqipërinë, demokratët PD-në. Dhe kush pastaj e ka ndarë mendjen se vërtet e kanë shtruar me asfalt rrugën Tiranë-Tokio dhe që vërtet e kanë shpëtuar biznesin nga problemet, apo kanë rritur punësimin, ne s’kemi ç’u themi, por ne do u shërbejmë të gjithëve”, tha Rama.
“Për çfarë e ndërruam sistemin ne?! Që këtu, në fushat e Korçës, duhet të gëlojë prodhimi dhe pasuria që prodhon mirëqenie, jemi në kushtet kur nuk vaditet as çereku I tokës?! Për t’i kaluar njerëzit në fshat nga skllevër të komunizmit në skllevër të këtyre pamundësive, që vijnë nga fakti se në Shqipëri nuk ka Shqipëri demokratike?! Se Shqipëria sot vuan e lëngon pikërisht se ka ata në krye. Ne nuk e ndërruam sistemin që të vijnë në vitin 2013, me 1 milionë të papunë, me një popull që jeton i zhytur në varfëri dhe mbetet në mëshirë të fatit,” vijoi Rama.
Erion Veliaj
“Në 2005 analfabetizmi ishte 10%, sot është 15%. Me qeverinë e re të Edi Ramës ne do ta dyfishojmë buxhetin për arsimin që asnjë fëmijë mos mbetet pas. Në Shqipëri 2 në 3 të rinj janë të papunë. Qeveria e ka një plan punësimi. Pas 23 qershorit në planin tonë për arsimin nuk ka rëndësi se si e ke mbiemrin. Ne duam ta pesëfishojmë buxhetin për rininë me Edi Ramën kryeministër.”
Eglantina Gjermeni
“Shërbimet publike do të reformohen në bazë të parimit të lehtësimit të aksesit dhe të përmirësimit të cilësisë. Shërbimet publike do të garantojnë përfitimin e shumicës dhe do të kujdesen për individë dhe familje në nevojë. Jemi të gatshëm dhe e kemi shprehur angazhimin tonë sepse synojmë një arsimim cilësor për çdo fëmijë pavarësisht vendndodhjes dhe gjendjes financiare familjare.”
Artan Lame
“Jemi në një farë mënyre atje ku na la Turqia, “mora rrugën për Janinë”. Grupet turistike që duhet të kalojnë nga Kolonja dhe është akoma sikur sa ka mbaruar lufta. Ne do ta rindërtojmë atë rrugë, sepse është rruga për në bregdetin tonë. Ka tre vjet që është nisur rruga e Pogradecit, nuk kishte asnjë punëtor. Njeriu ndalon aty dhe pyet pse ka tre vjet që e kanë në plan, nëse s’ka para pse duhet ta nisësh.“
Niko Peleshi
Në këto 8 vite keqqeverisje i ka munguar qarkut të Korçës vizioni, një rrugë fshati këtu dhe një atje, pa politika rajonale dhe sektoriale. Shifrat zyrtare fshehin një papunësi të frikshme. Dhjetëra mijëra banorë të qarkut kanë emigruar. Një numër i madh familjes po kthehen po e gjejnë Korçën më të varfër, i zhgënjen që ditën e parë kur shohin se para injorancës së militanteve dijet e emigrantit të marra jashtë nuk vlejnë.”
Ditmir Bushati
“Programi për një Rilindje Shqiptarë është mbyllja e një kapitulli të stërzgjatur të tranzicionit. Do kemi një raport të ndryshëm me pushtetin dhe të gjithë personat që do kenë një përgjegjësi publike në këtë vend. Një raport të ri me opozitën e nesërme. Do ti japim mundësi edhe PD të rilindë në opozitë.”
Mimi Kodheli
Kjo qeveri u zotua se do ulte borxhin publik, që nga ajo kohë borxhi jo vetëm që nuk u ul po sot përbën kërcënim. Sot niveli i kredive të këqija ka arritur në 1 miliard euro. Nuk ka mundur të hapë në këtë vend asnjë vend të ri pune. Madje kanë humbur 51 mije vetë vendeve të punës. Për PS është thelbësor krijimi i 300 mijë vendeve të reja të punës. Ky objektivi ynë më madhor. Debati taksë e sheshtë –taksë progresive është i fituar. Taksa e sheshtë dështoi.
Ilir Beqja
Vaditet vetëm ¼ e tokës bujqësore, në Korçë vetëm 24%. Saliu premtoi naftë 400 lekë, sot vetëm taksa e çdo litri naftës është 800 lekë. Ne do heqim akcizën po edhe taksën e qarkullimit, që do të thotë litri i naftës do të jetë 1300 lekë. Do heqim të gjitha TVSH-të që rëndojnë sot bujqësinë e blegtorinë. 160 milionë dollarë do të shpenzojmë për të rimëkëmbur vaditjen dhe kullimin. Duam të ringremë sistemin e shkollave profesionale bujqësore.”
Olta Xhaçka
“Ne do të adresojmë problemin e dhunës ndaj gruas që në ditët para të qeverisjes sonë. Do ngremë një qendër kombëtare multidisiplinore për gratë dhe fëmijët e abuzuar. Do rrisim financimin publik për programet e parandalimit. Barazia gjinore do të përfshihet në të gjitha politikat shëndetësore. Kujdesi shëndetësor nuk do t’i mungojë asnjë gruaje dhe asnjë vajze.”