Rama në Librazhd: Në 300 ditë rikthejmë sigurinë e jetës

redaktor

Librazhdi ka qenë ndalesa e radhës e turit të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe skuadrës se Rilindjes, për prezantimin e programit të kësaj partie. I shoqëruar nga Sekretari për programin, Ilir Beqja, kryetarët e grupeve të punës për Programin, Eglantina Gjermeni dhe Arben Ahmetaj, si dhe nga deputeti i kësaj zone, Taulant Balla, kryesocialisti është pritur me ovacione në një sallë të tejmbushur me qytetarë të Librazhdit.

Takimin e ka hapur Sekretari për Sipërmarrjen Arben Ahmetaj i cili u ka shpjeguar të pranishmëve planin e PS për ndryshimin e sistemit fiskal dhe vendosjen në themel të një taksimi të ndershëm me parimin kush fiton më pak do paguajë më pak taksa. Sekretari socialist Ahmetaj ka rikonfirmuar qëndrimin e PS për të siguruar një taksim të ndershëm dhe për të lehtësuar 95% të shqiptarëve nga barra e taksave. Ahmetaj tha se pas 23 qershorit qeverisja socialiste do të heqë taksën e biznesit të vogël duke i dhënë më shumë frymëmarrje familjarëve të vetëpunësuar në këtë biznes. Deputetja Eglantina Gjermeni ka folur për problematikën e mprehtë sociale që po kalon vendi si rezultat i paaftësisë dhe korrupsionit të qeverisë. Ajo ka theksuar se qeverisja e PS do të bazohet në parimin e solidaritetit social dhe se me paktën e masave që do të merren do të sigurohen shërbime publike sipas nevojës dhe jo sipas xhepit. Ndërsa Ilir Beqja, Sekretar për Programin, është fokusuar te masat që do të marrë PS për të rilindur fshatin. Sipas tij rindërtimi i sistemit vaditjes dhe kullimit do të jetë prioriteti kryesor i qeverisjes së PS dhe në programin Për një Rilindje Shqiptare ky projekt është i përcaktuar qartë dhe me koston përkatëse financiare. Beqja tha se ky hap do hidhet krahas krijimit të mundësisë për nxjerrjen e prodhimit bujqësor në treg. Ndërsa për deputetin Taulant Balla rilindja e rrethit të Librazhit nis nga rilindja e fshatrave të tij. Balla u shpreh se spitali i Librazhdit nuk ka marrë asnjë fond dhe kjo situatë në shpërndarjen e fondeve të shëndetësisë do të marrë fund njëherë e mirë në 23 qershor. Deputeti Taulant Balla u angazhua në emër të forcës që përfaqëson për rilindjen e punësimit në rrethin e Librazhdit.

Edi Rama në fjalën e tij në këtë takim është ndalur te fakti se sot fshati është si në mesjetë, dhe se PS në programin e saj ka të përcaktuar qartë se rilindja në fshat do të nisë nga nxitja e prodhimit dhe e punës me tokën.

“Në qoftë se duam të rilindin Shqipërinë duhet të rilindim tokën e bukës së këtij vendi dhe të rilindim fshatin përmes rilindjes së prodhimit nga toka. Po nuk realizuam këto nuk shkojmë asgjëkund,” u shpreh Rama.

Një tjetër pikë e programit të PS ku është ndalur Kryetari i Rama ishte dhe arsimi i të rinjve dhe punësimi i tyre. Për Edi Ramën të rinjtë e këtij vendi do orientohen nga qeverisja socialiste në dy drejtime, drejt arsimit të lartë por edhe drejt arsimit profesional.

“Na duhet të krijojmë një strukturë të re komplet të arsimit duke e lidhur me biznesin privat. Dhe duke shkuar drejt asaj që bëjnë vende të zhvilluara, ku një nxënës i arsimit profesional është në të njëjtën kohë një punëtor në një kompani dhe me një pagë që nuk është e barabartë me pagën e të gjithë punëtorëve, por me një pagë që i jep të riut nxënës idenë e qartë se me zanatin vet ai mund të bëjë mirëqenie. Aty ku s’ka punë s’ka lekë nga puna. Prandaj është bërë vendi Shqipëria me numrin më të madh të pikave të basteve në botë, ku gjithë rinia e ndjek nga pas Cristiano Ronaldon “aman fute topin në rrjetë” që të më dalë mua ndonjë lek.”

Ndryshimi radikal në shëndetësi për Edi Ramën është themelor në Programin qeverisës të pas 23 qershorit.

Çdo tabletë për tension, apo thjesht çdo ilaç, ka 10% taksë. Ne këtë taksë do ta heqim. Nga ana tjetër ne shërbimin shëndetësor do ta ofrojmë barabar për të gjithë. Të pasur, të varfër, nga veriu, nga jugu, nga qytetit nga fshati kur të shkojnë në spital do të shërbehen nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Republikës së Shqipërisë po njësoj, kanë lekë, nuk kanë lekë.”

Rendi dhe situata e pasigurisë në vend ishte një tjetër pikë e rëndësishme e fjalës së Kryetarit Rama në takimin që pati në Librazhd. Duke iu referuar situatës aktuale të pasigurisë Rama veçoi edhe angazhimin për rikthimin e policisë në krye të detyrës brenda 300 ditësh.

“Ju e shikoni që jemi bërë një shoqëri ku është realisht, realisht, e vështirë të mos ndjehesh shumë keq për veten, për familjen, për të njohurit, për vendin tënd kur shikon se çfarë lloj krimesh ndodhin dhe se në çfarë niveli pasigurie ka shkuar ky vend. Angazhimi ynë nuk mund të mos jetë që në 300 ditë t’i rijapim këtij populli një Polici Shteti siç nuk e ka parë asnjëherë në krye të detyrës. Kush prek një shqiptar duhet të përballet me Policinë e Shtetit dhe do përballet me Policinë e Shtetit dhe me gjithë shtetin. Nuk do të ketë  më pas 23 qershorit asnjë lloj mëshire ndaj kujtdo, le t’i ketë spaletat sado të mëdha, që shkon i prek pronën një shqiptari, që shkon i cenon familjen apo që prek fizikisht një shqiptar,” ka garantuar kështu nga Librazhdi Edi Rama të gjithë shqiptarët.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *