Gjatë vizitës së tij në Itali kreu i qeverisë Edi Rama ftoi biznesin lombardez të investojë në Shqipëri. Në takimin me Grupin Boch kryeministri foli për reformat e ndërmarra në pak muaj qeverisjeje ndërsa duke iu përgjigjur interesit të lartë të investitorëve italianë ai u shpreh se Shqipëria është akoma një vend për t’u eksploruar. Afërsia gjeografike,kosto e ulët e fuqisë punëtore dhe sistemi i taksave, por edhe mbështetja e fortë e qeverisë për çdo investim që krijon vende pune ishin disa pika kyçe që Kryeministri Edi Rama ua prezantoi si thelbësore investitorëve italianë për t’i tërhequr ata të vijnë drejt vendit tonë.
Takimi me investitorët
Në një tjetër takim me shoqatën e Investitorëve Assolombardia, Kryeministri u përqendrua në mundësitë që ofron për investime Shqipëria në hidroenergjetikë, turizëm, infrastrukturë dhe bujqësi. “Jemi të bindur se Shqipëria përbën një horizont të ri për botën e investitorëve italianë.
Sepse sot për sipërmarrjet italiane, ajo që mungon këtu, gjendet atje. Mjafton të përmendim se tatimi mbi të ardhurat për sipërmarrjet është vetëm 15%, puna e dorës ka një kosto shumë të ulët në krahasim me këtu. Shqipëria është një vend shumë i pasur në burime ujore. Ajo është vendi i dytë, më i pasur në Europë, pas Norvegjisë. Pra, ka shumë burime ujore për t’u shfrytëzuar, duke përbërë kështu një potencial të lartë hidroenergjetik.
Sigurisht që, dhe në këtë sektor ka shumë për të bërë. Ka gjithashtu shumë për të bërë në sektorin e agrikulturës. Kemi pasur tashmë kontaktet e para me ndërmarrjet bujqësore italiane që janë të interesuara të sjellin ose e kanë sjellë tashmë një pjesë të sipërmarrjes të tyre në Shqipëri. Sot të investosh në Shqipëri, nuk do të thotë të investosh vetëm aty, sepse në ditët e sotme ka një realitet të ri gjeopolitik pas vendosjes së marrëveshjes së paqes mes Kosovës dhe Serbisë, e cila ka mbyllur epokën e konflikteve në rajon. Dhe e ka shndërruar rajonin në një platformë të re të zhvillimit ekonomik dhe të bashkëpunimit rajonal. Nga këndvështrimi i tregut, sot kemi një treg shumë më të madh se sa ç’gjendet brenda kufijve të Shqipërisë.
Sepse nuk është vetëm Kosova, një shtet tjetër me shqiptarë, me të cilin ne kemi një bashkëpunim më të ngushtë gjithnjë e më shumë, por gjithashtu është edhe pjesa tjetër e rajonit”, tha Edi Rama. Gjatë qëndrimit të tij në Itali kreu i mazhorancës zhvilloi një vizitë në Institutin Evropian të Onkologjisë. Kryeministri Rama, ka ndërmarrë iniciativën për të promovuar strategji në parandalimin e sëmundjeve tumorale, mbi të gjitha këtyre sëmundjeve te gratë dhe vajzat. Kjo vizitë dhe takimi me drejtuesit e këtij institucioni ishte për të vendosur pika bashkëpunimi me një nga qendrat e ekselencës ndërkombëtare.