Partia Socialiste prezantoi sot në qytetin e Vlorës programin e saj “Për turizmin dhe infrastrukturën”, ku në një takim me anëtarë e simpatizantë kësaj force politike, kryetari i saj, Edi Rama, bëri publike disa nga kolonat e këtij programi, sikurse krijimi i një infrastrukture rrugore kombëtare, në përputhje me standardet e BE-së.
Rama tha se në këtë program parashikohet mes të tjerash hartimi i një master-plani kombëtar të detajuar, ku do të paraqitet një pasqyrë e plotë e infrastrukturës rrugore, çka do t’i paraprijë ndërtimit të një rrjeti transporti të unifikuar, që do të realizojë një shpërndarje sa më të njëtrajtshme të mirëqenies dhe të zhvillimit.
Ai tha se programi parashikon ndërtimin e korridorit Veri-Jug, nga Hani i Hotit në Kakavijë, që do të shërbejë për nevojat e lëvizjes sipas standardeve të infrastrukturës evropiane të BE-s. Krahas tij, do të realizohet edhe projekti i Korridorit të Kaltërt, Veri-Jug, që do të mundësojë vënien në efiçensë të resurseve turistike të bregdetit dhe që, aktualisht mungon.
“Përmes këtyre projekteve dhe në tërësi, investimeve në fushën e infrastrukturës rrugore, ne synojmë të krijojmë një rrjet të integruar qarkullimi, që do të garantojë rrjedhshmëri lëvizjeje”, theksoi Rama.
Duke u ndalur në këto standarde, ai nënvizoi se do të mundësohet dhënia me konçension e rreth 200 km autostradë, duke u ofruar investitorëve siguri dhe qëndrueshmëri.
Gjatë këtij takimi, Rama foli edhe për mirëmbajtjen e rrugëve, e cila, sipas tij, është shndërruar sot në një shqetësim të vërtetë, për shkak të abuzimit me fondet e akorduara.
Partia Socialiste, në qeverisjen e saj, parashikon krijimin e një qendre kombëtare të kontrollit të trafikut, çka do të krijojë kushtet për minimizimin e numrit të aksidenteve, në dallim të plotë më gjendjen aktuale. “Ne parashikojmë që dy vitet e para të mandatit tonë të ulim me 20 për qind numrin e aksidenteve rrugore, krahasuar me treguesit aktualë dhe në fund të mandatit të parë, ta përgjysmojmë këtë numër”, u shpreh Rama.
Ai prezantoi edhe një numër projektesh për zhvillimin e infrastrukturës rrugore në Vlorë, duke përfshirë mes të tjerash, ndërtimin e një shëtitoreje përgjatë bregdetit. Kreu i PSSH-së adresoi kritika ndaj investimeve të qeverisë në infrastrukturën rrugore, duke theksuar se ato nuk përmbushin standardet e BE-së dhe janë 10 herë më pak se sa publikohen./ata
Kam qene e bindur se korridori veri-jug eshte i dmosdoshem per Shqiperine sikurse shtylla vetebrale per njeriun.Te gjitha rruget e tjera duhet te jene sistem qe integrohet ne kete korridor.Uroj qe ta jetoj kete fat jetik per vendin tim.
Kurse jetesimi i Korridorit te kalter,do t’i jape bumin e vertetete njeres prej shtyllave te ekonomise sone,Turizmit ne standarte te pakten si Mali i Zi dhe Kroacia.