Sokol Balla
Në një intervistë që vjen disa muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013, Edi Rama u përqendrua në kohën që po skadon për përmbushjen e reformave që do të bëjnë të mundur marrjen e pakushtëzuar të statusit të vendit kandidat, afrimin e datës për zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, rolin e Presidentit të Republikës në politikën aktuale, bllokimin e Qarkut të Fierit, 100-vjetorin e pavarësisë në prag dhe shumë çështje të tjera.
Pyetja e Parë ju drejtohet si kryetar i Partisë Socialiste. 71 vjet më parë, u krijua Partia Komuniste ose origjina e partisë që ju drejtoni sot. Prej asaj kohe, në votë popullore thuhet se e majta përbën forcë madhore në vend, por a është reformuar mjaftueshëm kjo e majtë?
Kjo pyetje i takon më shumë Saliut, pasi atëherë lindi partia e tij e parë, e cila e farkëtoi në udhën e tij. Parti prej të cilës ai është ndarë formalisht, por jo në formë të vërtetë.
Një ditë më parë, ju ishit i pranishëm në funeralin e Lirak Bejkos. Ndërkohë, nga Partia Demokratike ju kujtojnë përditë se ju ende nuk i keni kërkuar ndjesë viktimave të regjimit komunist.
Është për të ardhur keq që Partia Demokratike, partia që lindi si zëdhënëse e një lëvizje të madhe, njëkohësisht atyre që nuk patën zë në komunizëm, vazhdon të akuzojë me të njëjtën gjuhë kundërshtarët e saj, pikërisht në ditën kur duhet të reflektojë lidhur me faktin se një i burgosur politik, që doli gjallë nga ferri i diktaturës komuniste u vetëdogj për shkak të zhgënjimeve të ferrit të ri zhgënjyes të PD-së.
Por, a duhet që Partia Socialiste të kërkojë me të vërtetë një ndjesë zyrtare për të kaluarën e saj?
Partia Socialiste ka bërë dhe këtë e provon historia, gjithçka për t’u shkëputur nga e shkuara si një forcë, e lindur në kohën e re dhe për kohën e re, në raport me të burgosurit politikë. Ne sot kemi një angazhim të qartë, të shkruar në programin tonë të Rilindjes Shqiptare ndaj tyre, në funksion të dhënies fund të abuzimit dhe talljes civile me ta.
Duke qenë se keni qenë disi më evaziv mbi këtë çështje, unë përsëri këmbëngul duke pyetur tek mungesa e një ndjese publike.
Jam shumë i keqardhur, por në arkivat tuaj duhet të keni qëndrimin tim shumë të qartë në raport me të shkuarën dhe ndjesën time shumë të qartë, në raport jo me çka i takon thjesht Partisë Socialiste, por me atë që i takon të gjitha forcave politike shqiptare dhe patjetër dhe të gjithë atyre që ishin të përfshirë në Partinë e Punës dhe që në emrin e saj kanë bërë jo pak më mëkate në kurriz të atyre që u burgosën politikisht apo të tjerëve që nëse nuk u burgosën u internuan dhe sakatuan. Sigurisht, njëri prej tyre është protagonisti kryesor, ende kryeministër deri në qershor.
Gjatë grevës së urisë, ju kritikuat sjelljen e qeverisë ndaj tyre, ndonëse Nishani u mundua të ndërmjetësonte.
Presidenti luajti një skeç si aktor i dorës së dytë, në teatrin e hipokrizisë.
Presidenti Nishani tha që duhet të marrim shembull nga zgjedhjet në SHBA. Si e vlerësoni këtë deklaratë të tij?
Mendoj se i ka takuar përpara se të tregojë që nga se të frymëzohemi, në raport me ngjarjen e rëndë që ndodhi, si President i të gjithë shqiptarëve, që të nderonte shqiptarin që u vetëdogj dhe la pas dy vajzat e tij nga trishtimi dhe zhgënjimi i thellë që ka prodhuar kjo klasë politike për këtë shtresë të popullsisë.
Ju kanë akuzuar nga mazhoranca si bashkësponsor të kësaj greve urie, pas aktivitetit që keni bërë dhe mbështetjes që treguat për ish-të përndjekurit, vërtet mendoni se ata do ta mendojnë këtë dhe të votojnë për Partinë Socialiste?
Në asnjë takim nuk i kemi kërkuar votë, as në nderimin e të ndjerit Bejko dhe nuk përbën kërkimi i votës arsyen e interesit tonë dhe as motivimin për të cilën duam të ndihmojnë dy njerëz për plagët e djegies së tyre, që të marrin kurim në shtete fqinje. Por, e bëj këtë i shtyrë vetëm nga ndjenja e përgjegjësisë si një njeri që ka mundësi të ngrejë telefonin dhe të kërkojë ndihmë e nga ana tjetër si një njeri i këtij vendi që nuk mbetet indiferent ndaj kësaj çështje. Ajo që më çon mua në çadrën e tyre, pa kamera, ishte nevoja për të komunikuar me ta dhe nga ana tjetër, respekti ndaj tyre për të mos e përdorur si sfond të asnjë lloj qëndrimi politik, atë që në fakt ishte një grevë urie për bukën e gojës.
Si e pritët ju shkarkimin e “bashkëpuçistit”, ish-kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqirit.
Si një vijim të natyrshëm të zgjedhjes së gabuar dhe arrogante të Presidentit të sotëm të Republikës, për të cilin e ka thënë dhe vazhdoj të jem i bindur, është thjesht një ministër më shumë në qeverinë e Partisë Demokratike. Do të kisha dashur shumë që presidenti të jepte një provë që unë të isha i gabuar, por fatkeqësisht po jep vetëm prova se jo vetëm nuk kemi gabuar kur nuk i dhamë votën, por edhe kemi qenë thellësisht në shërbim të interesit të vendit, duke kërkuar një president që të mos jetë noter i Berishës në zyrën më të lartë të shtetit.
Presidenti dhe maxhoranca bënë të qartë përpara vizitës së Clinton, se fundi i nëntorit duhet të na gjejë me një Prokuror të ri të Përgjithshëm. Partia Socialiste, nga ana e saj nuk duket se po bën ndonjë rezistencë serioze ndaj kësaj lëvizje politike.
Partia Socialiste është e angazhuar tërësisht për të qeverisur Shqipërinë pas 200 e ca ditësh dhe tërësisht e vetëdijshme se në ditët e mbetura, PD do të bëjë vetëm atë që ka bërë deri më sot, drejtimin e vendit në rrugën e rrënimit, duke rrënuar institucionet, sic bëri me Presidencën, ekonominë, siç po rrënon familjet e zakonshme shqiptare dhe të gjithë sipërmarrësit që nuk janë pjesë e oborrit. Në këto muaj të mbetur deri në zgjedhje, Berisha do të vazhdojë të rrënojë shoqërinë.
U dukët shumë entuziast për rizgjedhjet e Presidentit Obama në krye të SHBA-ve. Përse?
Besoj se nuk përbën asnjë rast të veçantë, entuziazmi për fitoren e Presidentit Obama është i natyrshëm i shumicës dërmuese të njerëzve, kudo në botën e lirë, kudo ku njerëzit aspirojnë për një shoqëri të drejtë, kudo që njerëzit aspirojnë për ndarje të drejtë të përgjegjësive dhe të barrës së kontributeve. Njerëzit aspirojnë për gjithçka, që Presidenti Obama përfaqëson si mishërimi i një politike që në thelbin e saj mbron shtresën e mesme dhe të varfrit, duke i kërkuar më të pasurve që të kontribuojnë më shumë.
T’i rikthehemi raporteve të partisë suaj dhe tuajat personale me amerikanët. Dikush mund të thotë se vjet, kur kryetari i mazhorancës ishte mbi vështirësi të mëdha, atë e quajtën një burrë shteti. Më pas, kur ju patët problemet tuaja në zgjedhjet e korrikut, qëndruan indiferentë. Mbi zgjedhjet, mendoni se administrata amerikane ka krijuar një ide të qartë?
Mendoj se ndalimi i Clinton në Tiranë, ishte pasqyrë e një kthjelltësie të plotë lidhur me vetëdijen e aleatit tonë të madh strategjik për domosdoshmërinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ajo iu drejtua parlamentit me shprehjen ju lutem bëni zgjedhje serioze, dmth se ka një shqetësim shumë serioz dhe adreson edhe një apel për këtë.
Pas ikjes së saj, më shumë dukej sikur ishit entuziast për takimin, se sa vizitën. Çfarë ju tha duke iu bërë kaq entuziast?
Nuk e fsheh që ishte takimi më i bukur i jetës sime politike. Takimi më i bukur, sigurisht ishte po aq i bukur takimi me Presidentin Obama, por ky ishte një takim i gjatë, në të cilin pata kënaqësinë e jashtëzakonshme të diskutoja me Sekretaren për ato çështje që kam shprehur edhe publikisht disa herë më parë.
Pra takimi me Clinton ishte edhe më i bukur se ai me Presidentin Obama?
Nuk thashë ekzaktësisht këtë, por ndryshimi është që ishte një takim i gjatë, ndërsa me zonjën Clinton shtjellova në mënyrë shpjeguese problematikën me të cilën përballemi sot. Takimi me Obamën ishte një eveniment, për mua si politikan dhe qytetar, e admirues i tij, nga pozitat e një njeriu që beson shumë në atë që ai përfaqëson dhe përpiqet të bëjë
Ju nuk keni folur shumë për këtë takim me Presidentin e SHBA-ve.
Nuk ka qenë një takim zyrtar dhe duke qenë kështu, as nuk kam pasur dhe as nuk kam dëshirë që të bëj gjëra publike, duke respektuar faktin që takimi nuk ka qenë zyrtar.
A mendoni se amerikanët janë “ok” me rotacionin politik në Shqipëri. Ju nuk mund të thoni që nuk keni pasur probleme në komunikimin me tan ë të shkuarën.
Unë besoj në marrëdhëniet e sinqerta me amerikanët dhe sinqeriteti nuk nënkupton marrëdhënie që janë të karakterizuara edhe nga komunikime, por nënkupton marrëdhënie solide që forcohen me komunikim të hapur për çështje të caktuara. Nga ana tjetër, nuk ka pikë dyshimi dhe kjo është pjesë e AND-së së PS, qysh në krye të herës, ne kemi qenë, jemi dhe do të mbetemi të gatshëm për ta mishëruar këtë partneritet në shkallën e më të lartë.
Berisha ofroi opsionin e ri për zgjidhjen e ngërçit në Fier, mocionin për anëtarët dhe kryetarët e Qarkut.
Kjo është antiligjore dhe antikushtetuese. Saliu nuk është mbi ligjin, pavarësisht se ai ka vendosur ndryshe. Ligji dhe vendimi i gjykatës është i qartë, ndaj nuk ka nevojë për mocion, gjykata e nënvizon gjithashtu këtë./TCH