Këtë të hënë, kryeministri Edi Rama ndodhet në Durrës për mbylljen e fushatës zgjedhore në këtë qytet. Ai ka falenderuar kryetarin në ikje të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakon, duke e lavdëruar për punën e tij.
Në vijim, kryeministri Rama i është referuar edhe qytetëve të tjera në Shqipëri, duke thënë se në krahasim me to, bashkitë e drejtuara nga PS janë model, ndërsa ato që drejtohen nga PD, si Shkodra janë pis.
Ai tha: “Në këtë fushatë ne kemi mundësi që t’i vendosim përballë të dyja modelet, të dyja alternativat, të dyja botët. T’i themi kujtdo shiko çfarë bëjmë ne kur drejtojmë një bashki, shiko çfarë bëjnë këta të tjerët. Ne mund t’i tregojmë me krenari qytetet tona, po ju më tregoni një qytet të drejtuar nga demokratët dhe më thoni ia vlen t’ua japësh votën përsëri? Bashkitë e drejtuara prej PD janë pis. Është e paimagjinueshme sa e pistë është Shkodra, të mos hysh tek të tjerat pastaj. Kjo është çështje njerëzish që e duan pastërtinë dhe të tjerë që jetojnë më mirë në pisllëk”.
Edhe në fjalën e tij në Durrës, kryeministri komentoi presidentin dhe kryetarin e opozitës. Ndër të tjera, ai tha: “Del Ilir Meta dhe thotë pluralizmi është pjesëmarrja e shumë forcve e s’mund të ketë zgjedhje me një kandidat. Në fakt kur shqiptarët kanë vendosur të jetojnë nën pluralizëm kanë qënë në një mendje që populli zgjedh, ama pluralizmi është që secili zgjedh edhe nëse do të hyjë apo jo në zgjedhje. Ata kanë një arsye shumë më të madhe se sa fakti që me ne e dinë shumë mirë që nuk fitojnë dot. Arsyeja ka të bëjë me momentin historik ku ndodhet Shqipëria, çeljen e negociatave në BE. Kjo që kemi përjetuar në këtë periudhë është një seri e re e një filmi që e kemi parë dy vjet më parë kur në parlament do votohej vettingu. Ata ikën nga parlamenti dhe poshtë zyrës time ngritën bunker plastmasi, vinte Luli këndonte himnin. Në fakt, për hir të së vërtetës nuk këndonte vetë, kishte një tenor. Pastaj mbante fjalim, ikte në drekë flinte. Se po të mos flinte, nuk ia mbante dot atij. Thoshin të njëjtat gjëra: Rama ik..të gjithë i luteshin, BE, ndërkombëtarët. Në fund i ngela vetëm unë se të gjithë u dorëzuan na thanë futuni vetëm në zgjedhje. Unë nuk u dorëzova. Aq nuk u dorëzova sa shumë nga njerëzit rreth e rrotull nuk e kuptonin pse i lutesha aq shumë. E kam thënë dhe e përsëris: I jam lut atij njësoj si të ishte Zhuljeta, siç nuk do i isha lutur kurrë gjithë nimfave të detit të Durrësit. Në fund fare u morëm vesh… mori gjithçka që i deshi zemra: gjysmën e qeverisë…”
Në vijim ironia e Ramës ndaj kryopozitarit Basha ishte edhe më e thellë. Rama u shpreh: “I thashë Zhuljetës zbrit nga ballkoni dhe do ta bëjmë se kush fiton zgjedhjet, do të marrë qeverinë. Mund të shahemi me njëri-tjetrin këtu, por mos shajmë në gjuhë të huaj. Nuk mund ta bëjmë dot atdheun leckë. Mjafton të shikosh rezultatet. Ne jemi rritur normalisht, por kemi marrë shumë më tepër sepse kanë rënë ata vertikalisht. Njerëzit e vet i kanë braktisur. Shqiptarët nuk kanë punë tjetër vetëm t’i gjejnë fustanin Zhuljetës, vetëm të organizojnë ballon”.
Rama theksoi: “Këta kërcënojnë dynjanë. Ndoshta kanë menduar me aq sa bëmë morëm gjysmën, tani thonë kushedi marrim të gjithën. Luli sa herë humb i gëzohet fitores. Edhe thonë tani ky parlamenti ka marrë fund dhe ne jemi populli. Kanë gjetur më budallenj ose më të sinqertët dhe janë turrur me fishekzjarrë e molotov ndaj parlamentit. Kur po votohej vettingu, ata ikën nga parlamenti .Pas marrëveshjes së 2017 ata u bënë akoma më keq. Ata e dinë shumë mirë që kryeministri nuk ikën me protesta. Këta zgjedhjet nuk i kanë bërë si të drejtë të popullit, por si të drejtë të partive për të zgjedhur popullin. Unë nuk i dua të gjitha. Këta na i lanë në dorë”.
