Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka pritur sot në selinë rozë disa prej familjarëve të viktimave të Gërdecit. Pak ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila u uli dënimin e dhënë nga shkalla e parë të akuzuarve për dosjen “Gërdeci”, familjarët e viktimave u shprehën të irrituar nga ky vendim. Ata thanë se për më tepër, përgjegjësit e vërtetë të këtij krimi nuk janë hetuar dhe gjykuar. “Në një shtet demokratik nuk ecet duke bërë gjithë këtë tragjedi, duke vrarë 26 veta në Gërdec, duke vrarë dhe në 21 janar dhe mos të dënohet asnjë. Një përgjigje shumë qesharake, që gjykata dhe prokuroria nuk kanë vullnetin tani që të hapin çështjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes”, u shprehën familjarët.
Rama u shpreh se pas ardhjes në pushtet, pas zgjedhjeve të qershorit, “Gërdeci” dhe “21 janari” do të gjykohen dhe për viktimat do të vendoset drejtësi.
“21 janari dhe Gërdeci, jo nuk kanë mbaruar, por nuk kanë filluar të gjykohen. Kjo është bindja dhe ky është angazhimi ynë. Ne do t’i mbështesim me të gjitha fuqitë tona familjet e dëshmorëve të 21 janarit dhe të gjitha familjet e viktimave të krimit shtetëror të Gërdecit, për të arritur që ata që ikën të prehen në paqe dhe ata që mbetën apo ata që do vijnë të mund të mbyllin sytë në paqe kur të flenë gjumë natën, sepse drejtësia u bë”, tha Rama. Më tej, ai kritikoi edhe qëndrimin e Gjykatës së Tiranës për deklaratën e ambasadës së SHBA-së pas vendimit pëtr “21 janarin”.
“Trupa gjyqësore që bëjnë fletë-rrufe për qeverinë amerikane. Kjo frymë padrejtësie po i merr frymën vendit dhe mbi të gjitha nuk është aq larg kur është tek tjetri, sepse radhën e ke ti, dhe kur të vjen të dera është tepër vonë”, tha Rama.

Te lumte goja