Rama për decentralizimin: Qeveria do të tërhiqet nga punët e njësive vendore

Saimir Lleshi

Reforma e re administrativo-territoriale do të sjellë më shumë kompetenca për drejtuesit e 65 bashkive në të gjithë vendin.

Në një konferencë kombëtare për qeverisjen vendore, kryeministri Edi Rama tha se reforma e decentralizimit do të shtojë pushtetin për të zgjedhurit vendor, çka sipas tij do të thjeshtojë shtetin.

Kryeministri u shpreh se në 20 vite thjesht është folur për këtë decentralizim, por nuk është vepruar.

“Një nga pikat është transformimi i gjithë nivelit të poshtëm të qeverisë në territor në dy drejtime. Një pjesë do të bashkohet me agjencinë e zhvillimit bujqësor dhe rural për të forcuar bashkëpunimin me fermerët për të ndikuar në rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe për të shkruar dh efinancuar projekte, pa të cilat as BE as qeveria nuk mund të financojnë fermerët, as dhe bankat”, theksoi ai.

Ai deklaroi se qeveria qendrore duhet të tërhiqet nga punët që i përkasin bashkive, ndërsa do të jenë kryebashkiakët ata që do të marrin kompetencat.

 “Qeveria qendrore duhet të marrë rolin e politkbërësit, monitoruesit dhe garant të standardeve. Kemi qeverinë qendrore që bën më shumë tenderë në të gjithë Evropën, atëherë duhet të lëshojmë shumë në këtë drejtim”, tha kryeministri.

Rama u shpreh se gjatë 20 viteve është imponuar një sistem skandaloz administrimi që ka shkatërruar të gjitha burimet.

“Është reforma më e thellë dhe më e suksesshme dhe jokonsensuale, që do të thotë që kërkimi i konsensusit me çdo kusht dhe duke shkelur çdo vlerë cilësore të produktit nuk është domosdoshmërish rruga më e mirë. Për herë të parë ne siguruam jo vetëm aksesin e grave dhe vajza ne procesin e vendimmarrjes, por shënuam një arritje historike për Shqipërinë, kemi 50% gra. Në të gjithë territorin falë instrumentit të anketimit nga donatorët, tregoi se kudo shqiptarët në janë shumicë dërrmuese kërkonin këtë transformim, të çliroheshin nga ligjet feudale të feudeve të vogla. Nëse ka një shkatërrim të inventarizuar më së miri zë për zë në të gjithë këtë tranzicion të vështirë është shkatërrimi që i ka sjellë vendit keqorganzimi territorial dhe administrativ”, tha kryeministri. /Dita/

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *