Kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë një takimi që ka zhvilluar me banorë të komunës Zallbastar, është shprehur se në vend po rikthehet frikshëm analfabetizmi. Sipas tij, shifra e analfabetizmit ka shkuar në 15%, e cila është shumë e lartë për një vend të Europës.
“Analfabetizmi shtohet vit pas viti, sot shifrat thonë që ka shkuar 15%. 15% analfabetizëm në mes të Europës është një tmerr. Dhe nga ana tjetër jemi përballë faktit që rrënimi vazhdon. Ndërkohë që flasim për Bashkimin Europian, çfarë do jenë nesër të gjithë këta fëmijë që rriten në këto situata si qytetarë të Bashkimit Europian dhe me çfarë dijesh do ta përballojnë Bashkimin Europian. Ne nuk duam që nesër fëmijët e sotëm të zonave rurale të Shqipërisë të jenë çirakë në BE-në, por duam që të jenë qytetarë me dije të mjaftueshme për ta përballuar sfidën e hapjes” deklaroi Rama.
Fëmijët e Komunës Zallbastar ndërkohë i shpjeguan Ramës vështirësitë e tyre për të shkuar në shkollë.
“Na duhen dy-tre orë për të shkuar, se njëri nga ne e ka më larg shtëpinë. Duke kaluar lumin dhe lagemi. Kur ngrihet lumi s’shkojmë fare. Lagemi dhe kthehemi në shtëpi. Makina s’kemi. Këtej kalojnë vetëm njerëzit, makinat s’kalojnë, s’vijnë shpesh makinat. S’mund ta kalojnë lumin, është shumë lum i madh,” -rrëfyen fëmijët.
Një tjetër problem që u prek prej kreut të selisë rozë ishte edhe mungesa e transportit të fëmijëve në shkolla.
“Transporti sot është një problem shumë i madh. Fakti që nga një anë fëmijët për shkak se familjet janë të varfra dhe për shkak se transporti nuk ju garantohet, nuk shkojnë në shkollë, dhe nga ana tjetër mësuesit nuk vijnë të japin mësim, sepse nuk ju garantohet transporti, është rrëqethës dhe është momenti parë që duhet zgjidhur. Duhet garantuar në të gjithë territorin transporti për fëmijët dhe për mësuesit”-tha Rama.
