Kreu i PS-së, Edi Rama, publikon në blogun e tij një shkrim me të cilin ironizon deklaratën e sotme të Berishës në Gramsh për hapjen e 250 mijë vendeve të reja pune. Rama shprehet se kryeministri ecën me moton laje borxhin e vogël me një borxh më të madh, çka do ta çojë në humbjen e zgjedhjeve të qershorit Partinë Demokratike. Rama thotë se pavarësisht se është i njohur fakti se ndërtimi i infrastrukturës do të thotë më shumë punësim, jo gjithmonë mund të ndodhë kështu, aq më tepër kur flitet për qeveri të korruptuara që mburren me ndërtime rrugësh, ndërsa vendi gëlon nga të papunët, si në vendet afrikane.
Muhabete rrugësh
Edi Rama
“Rruga është punësim” ishte mbishkrimi i një foltoreje qeveritare inaugurimesh. S’ka dyshim se qeveria që premtoi 160 mijë vende pune në vitin 2009 dhe që brenda tre vjetësh u humbi shqiptarëve 51 mijë vende pune, e ka një hall të madh me temën e punësimit. Sepse u ka borxh njerëzve 211 mijë vende pune, 160 mijë që ua premtoi për t’u marrë votën e nuk ua dha dhe 51 mijë që i kishin vetë e ua humbi. Dhe me teorinë laje borxhin me borxh së fundi u premton 250 mijë vende të reja pune, pra e rrit premtimin me rreth 45% në raport me 2009. Që do të thotë se nëse largqoftë do t’i gënjente e vidhte në votën e tyre edhe njëherë shqiptarët, pas tre vjetësh në rrugën e rrënimit të mëtejshëm, mund t’i çojë humbjet e vendeve të punës në 45% për qind më shumë, 74 mijë!
Sigurisht që këto parashikime nuk janë shkencore, por lehtësisht të kuptueshme dhe aspak të pamundura brenda logjikës së rrënimit që sjell pas vetes çdo premtim i Saliut, mu si një borxh më i madh që lan një borxh më të vogël. Por përtej asaj që nuk do të ndodhë në të ardhmen sepse Partia Demokratike nuk do të marrë një mandat tjetër, mbetet fakt se qeveria është zënë shumë ngushtë përballë realitetit të papunësisë në rritje gjatë gjithë këtyre viteve. 1 milionë të papunë janë një shifër ulëritëse që mund ta mbulosh duke e mohuar, aq sa mund të mbulosh krizën e gjithanshme që ka pllakosur familjen e zakonshme shqiptare e vetë Shqipërinë. Prandaj u duhet edhe një pohim dhe në pamundësi për të pohuar, me fakte jo me llafe, se kanë hapur ndonjë vend të ri pune, kanë shpikur së fundi mbishkrimin “rruga është punësim”.
Që ndërtimi i infrastrukturës normalisht mund të nxisë edhe punësimin kjo dihet, por jo gjithnjë ndodh kështu. E tregojnë shembujt e shumë vendeve afrikane ku qeveri të korruptuara mburren me ndërtime rrugësh, po ku papunësia gëlon si kancer shkatërrues. Sepse nuk mjafton të asfaltosh. As të çash përgjatë rrugës ndonjë tunel. Aq më tepër pastaj nuk mjafton të hedhësh para për rrugë që nuk përmbushin asnjë standard në projektim, realizim apo mirëmbajtje. Duhet një projekt i integruar zhvillimi që ky vend s’e ka pasur asnjëherë në 22 vjet. Prandaj edhe është katandisur kështu, si një shtëpi që lan borxhet me borxhe në kushte papunësie dhe përjeton rrënimin e vazhdueshëm. E sigurisht, prandaj edhe është katandisur në pikën ku politika qeverisëse është bërë muhabet rrugësh.