Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka akuzuar Kryeministrin Berisha për fshehje të qëllimtë të nivelit të papunësisë në vend, duke iu referuar publikimit të të dhënave të censusit nga INSTAT. Nga qyteti i Durrësit, ku PS prezantoi programin e saj për çështjet sociale, Rama tha se qeveria ka hequr dorë nga vlerësimet zyrtare të varfërisë që nga 2008, por shtoi se nga ky vit gjërat kanë marrë të tatëpjetën negativisht. “U fshehu shqiptarëve të vërtetën për papunësinë. Kryeministri kërkoi heqjen e këtij kapitulli nga INSTAT. Në Shqipëri ka mbi 1 milion të papunë , qeveria ka hequr dorë nga vlerësimet zyrtare të varfërisë që nga 2008, nuk ka guxim ta vlerësojë dhe të shpallë shifra. Por nga 2008 është përgjysmuar rritja ekonomike, është vendosur një taksë e sheshtë që e ka transferuar barrën fiskale nga korporata tek të punësuarit, barra fiskale me taksën e sheshtë nuk është ulur. Ka ndodhur rritja e lartë mbi ushqimet bazë, kanë rënë dërgesa e emigrantëve. Është rritur borxhi, ky nuk është borxh i shtetit, sa më të larta të jenë shpenzimet e borxhit aq më pak fuqi investuese ka familja”, tha Rama.
Varfëria
Sipas Ramës, gjendja e popullsisë rëndohet pasi, “Çdo shqiptar ka sot borxh mbi 3 mijë dollarë. Ky nuk është borxhi i shtetit, e merr qeveria por e paguajnë të gjitha familjet shqiptare dhe individët. Sa më të larta të jenë interesat e borxhit aq më pak mundësi për të blerë ka një familje shqiptare”. Kryesocialisti nënvizoi se “Varfëria nuk është aleate e opozitës është një kalë me të cilin qeveria kalëron lirisht përmes frerëve të korrupsionit dhe presioneve që janë shumë më të lehta aty ku ka varfëri”. Punësimi real dhe taksimi i ndershëm siç tha Rama është sfida kryesore e së nesërmes. Duke kërkuar një transformim të modelit ekonomik, Rama tha se, “Ndryshimi i modelit të taksimit është domosdoshmëri, me taksën e sheshtë nuk u rrit punësimi, nuk u rrit ekonomia, nuk u ul barra fiskale dhe nuk u nxitën investimet”. Taksa progresive është zgjidhja, shtoi Rama. “Ne e kemi të pamundur të bashkëjetojmë në një mjedis ku një furrë buke paguan më shumë taksa se hotel Sheraton, kur një biznes i vogël paguan më shumë se një fabrikë, ku mësuesi paguan më shumë se ministri i Arsimit. Për ne është e qartë se kush fiton më shumë, paguan më shumë. Nëse nuk heqim taksën e korrupsionit, çdo rritje e detyrimeve do ishte e papranueshme. Të ndryshojmë sistemin aktual fiskal, për të ndryshuar modelin e zhvillimit”, shtoi ai. “Projekti ynë ka nevojë për 8 vite që të përmbushet plotësisht”, tha Rama.