PS zhvilloi sot një tryezë bashkëbisedimi në lidhje me rendin, sigurinë dhe mbrojtjen e pronës. Gjatë fjalës së tij, kreu i PS-së, Edi Rama, u shpreh se prona private e qytetarëve cenohet përditë nga vjedhjet, për shkak të mungesës së impenjimit të strukturave të rendit. Gjithashtu, Rama theksoi se rritja e shifrave të kriminalitetit në vend ka si përgjegjës krerët e Rendit.
“Një polici, nuk mund të jetë garante e pacenueshmërisë së pronës private apo publike, për sa kohë, morali i drejtuesve të saj është përfitimi nga karrigia e pushtetit dhe implikimi në krim i tyre”, tha Rama.
Kryesocialisti u ndal në programin e PS-së, pjesë e të cilit është edhe parandalimi dhe lufta ndaj krimit. Sipas Ramës, aktivizimi i policisë së terrenit, do të rriste nivelin e sigurisë dhe mbrojtjes së pronës private.
“Me ardhjen në pushtet të PS-së, do përmirësohet marrëdhënia e policisë me publikun, në shërbim të këtij të fundit, si dhe do kthejmë këto struktura në garante të ruajtjes së pronës private e publike në çdo km katror të Shqipërisë”, përfundoi kreu i opozitës, Edi Rama.