Kreu i PS-së, Edi Rama, tha sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të socialistëve se shqetësimi kryesor për kryeministrin Berisha është brë opozita dhe krimi që u ka marrë jetën tre komisarëve të policisë gjatë muajve të fundit.
“Parmbrëmë pak pas vrasjes së komisarit Dritan Lamaj kryeministri lëshoi në rrjetet sociale një teknologji për rrjetin 3G, ndërsa dje dha shfaqjen e radhës para grupit të PD-së duke sharë opozitën. U bënë kohë që qeveria bën opozitën e opozitës, sulmon idetë tona, pastaj i kopjon, i kopjon por nuk i zbaton se është një qeveri që s’bën më asgjë”, tha Rama.
Duke u ndaluar në situatën e kriminalitetit në vend, Rama tha se policia sot është e pambrojtur dhe e tradhtuar. “Armët janë kudo, 45% e nxënësve janë përfshirë në një konflikt me armë sipas rezultatit të një anketimi”, tha Rama. Në lidhje me këtë situatë, Rama tha se Berisha është bërë si futbollist që shkon pas këmbëve dhe jo pas topit.