Kryeministri Edi Rama e cilëson vizitën e Papa Franceskut një mrekulli. Në fjalën e mbajtur në mjediset e Muzeut Kombëtar ku u çel ekspozita kushtuar besimit fetar, Rama deklaroi se shqiptarët, myslimanë e të krishterë, besojnë tek e ardhmja evropiane dhe duhen respektuar për paqen që kanë dhënë në rajon.
“Mes shqiptarëve nuk ka sherr e as ndasi fetare. Shqiptarët janë myslimanë dhe të krishterë. Shqipëria nuk është një vend mysliman, por një vend evropian me myslimanë e të krishterë”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se Shqipëria është shembull i bashkëjetesës fetare. “Shihja sot faqen e parë të një përditshme. Majtas Papa Françesku dhe djathtas kreu i Komunitetit Mysliman. Një foto sa një milion fjalë. Jetojmë në kohë të vështira. Papa Françesku thotë se ka filluar Lufta e Tretë Botërore.
Lufta që ka filluar në Irak dhe Siri është një luftë e ngjashme me një epidemi vrastare, përhapja e së cilës nuk sheh kufij. Papa Gjon Pali i II zbriti në Shqipëri kur kishte mbaruar Lufta e Ftohtë. Ka kaluar shumë kohë, por jo dhe aq sa për të mos reflektuar për arsyen e ardhjes së një tjetër Pape. Shqiptarët, myslimanë e të krishterë, kanë kurorëzuar një proces historik paqeje,” theksoi Rama. /E.K
