Kreu i PS-së, Edi Rama, ka zhvilluar sot një takim me socialistët e Durrësit. Gjendja e rëndë ekonomike në të cilën ndodhen shqiptarët dhe nevoja për ndryshimin e modelit ekonomik ishin dy shtyllat kryesore të fjalës së Ramës para përkrahësve durrsakë.
“Rënia e fuqisë ekonomike të shqiptarëve është e lidhur me borxhin. Më pak se 5 për qind e atyre që kanë depozita bankare zotërojnë më shumë se gjysmën e pasurisë. Aty ku PD merr mandatet më të shumta, aty është varfëria më e thellë. Varfëria nuk është aleate e opozitës, por është një kalë mbi të cilin qeveria kalëron lirisht përmes frerëve të korrupsionit dhe presioneve. Por më tepër akoma, sot ka një borxh 150 milion euro i shpërndarë në banaqet e ushqimoreve. Ata ua kanë borxh tregtarëve, të cilët nga ana e tyre ua kanë borxh distributorëve.
Të flasësh për të gjitha këto është pjesa më e lehtë. Por pjesa më e vështirë është çfarë do të bëjmë dhe duhet të bëjmë ne. Faktikisht ne kemi sfidën e ndryshimit të modelit të zhvillimit. Kjo që po ndodh është pasojë e shterimit të një modeli, që përkon me krizën ekonomike globale. Sot Shqipëria është si një shtëpi ku rezervat e javës në frigorifer janë ngrënë deri të mërkurën. Nesër është e enjte, pra kuptohet se çfarë do të sjellë e premtja.
Punësimi real është sfida kryesore e të nesërmes. Ai kërkon një transformim të modelit ekonomik. Duke ardhur tek pasuria, kemi nevojë për një qasje të re, që duhet të krijojë një raport të ri mes politikave sociale dhe atyre fiskale”, tha Rama.