Rama shtroi të premten në oborrin e Kryeministrisë, Iftar në nder të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Ai e ndali vëmendjen e tij tek drejtësia në vend, për të cilën, ai tha se është e vetmja rrugë e ndërtimit të një shtetit solid.
Sot, – tha ai, – s’jemi vetëm, pasi pavarësisht se si ka përfunduar ”martesa” e brishtë e Britanisë së Madhe me Bashkimin Evropian, për ne shqiptarët është fat i historisë të jemi sot bashkë me BE-në në rrugëtimin e mundimshëm për të ndërtuar një drejtësi të drejtë. Sepse vijoi ai, për ne, për Shqipërinë rruga drejt BE-së nuk është rruga e një shteti solid siç ishte Britania e Madhe kur ju bashkua Europës politike, por rruga e një populli që vetëm përmes drejtësisë mund të ndërtojë një shtet solid.
Më tej, Rama shtoi se hyn tek ata që “besojnë sot se rruga në këtë rast është mishërimi i qëllimit tonë të madh për të patur edhe ne më në fund një shtet të vërtetë të së drejtës, pavarësisht si do të jetë fati i BE-së, çka nuk është në dorën tonë”.
Sipas tij, beteja për drejtësi të paanshme dhe gjykatës të drejtë ja vlen të çohet deri në fund, cilado qoftë sakrifica.
Në darkën e sotme ishin të ftuar besimtarë, politikanë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, etj.
