Kryeministri i ardhshëm i vendit, Edi Rama, së bashku me bashkëshorten Linda, shtruan një iftar me rastin e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit.
300 besimtarë musliman, politikanë, diplomatë të huaj dhe njerëz të medias, ishin të ftuarit e çiftit Rama në një prej lokaleve në periferi të Tiranës.
Pas çeljes së iftarit, në fjalën përshëndetëse Edi Rama vlerësoi se një nga vlerat më të rëndësishme, me të cilat Shqipëria duhet të krenohet sot, është pikërisht harmonia e bashkëjetesa fetare.
“Ndjesë për pak vonesë për ata që janë në agjërim dhe pak fjalë duke ju gëzuar pranisë të të gjithëve ju.
Midis të gjitha lirive e vlerave të fituara apo rifituara në kohët e reja, liria e besimit dhe vlera e bashkëjetesës në harmoni mes feve, e bëjnë krejt të posaçme Shqipërinë. Vetë liria e Shqipërisë në të tatëpjetën e diktaturës komuniste u shfaq për së pari si liri e besimit me meshën historike të Don Simon Jubanit në varrezat e Rrmajit, në Shkodër. Asokohe Kisha e Madhe ishte ende Pallat Sporti. Kështu të krishterë e myslimanë u bashkuan për të parën meshë pas një gjenerate, mes engjëjve krahëthyer e trupshpuar prej plumbave të ushtarëve të popullit, që në ekstazën e luftës kundër fesë, kishin bërë qitje mbi statujat e mermerta të varreve.
Unë e quaj fat që u gjenda në atë grumbullim të paligjshëm, ku më çoi, si edhe të tjerë rruga e lirisë. Qysh më të nesërmen e asaj dite, myslimanë e të krishterë, bashkë, hapën edhe dyert e xhamisë së Shkodrës, të kthyer nga komunistët në depo kooperative. Ishte përkryerja e një momenti të mrekullueshëm kur njerëzit e këtij vendi e kërkuan lirinë për të qenë të ndryshëm dhe të barabartë jo tek dallimet mes feve, por tek liria e besimit që nuk vë cak për besimin e tjetrit.
Sonte, këtu, jemi mbledhur mes njerëzish të lirë, të besimeve të ndryshme, prej vendesh të ndryshme me histori të ndryshme. Por ky është vendi, Shqipëria, ku secili prej nesh, vendas apo i huaj në çdo rast që kremtohet një ditë e shënuar e kalendareve fetare, ndjehet posaçërisht mirë. Sepse në Shqipëri feja mbetet sot e gjithë ditën një fjalë e lidhur me harmoninë, jo me ndasinë; Me lirinë e përkatësisë ndaj një Krijuesi që bashkon edhe ata që nuk besojnë në Zot, me ata që Zotin e kërkojnë përmes rrugëve të Kuranit apo të Biblës; Me vlerën e një bashkëjetese ku mëvetësia e një besimi nuk është mur, por urë me besimet e tjera.
Por lejomëni të ndaj me ju me mendimin se kjo trashëgimi unikale kulturore, që në botën e sotme të dasive të thella dhe konflikteve të nxehta fetare përbën një vlerë ende më të jashtëzakonshme, është një trashëgimi e rrezikuar. Kjo trashëgimi kaq e vyer rrezikohet nga të marrurit e saj si e dhënë njëherë e përgjithmonë. Nëse ne nuk e kuptojmë të gjithë sot rrezikun që bart me vete mungesa e masave mbrojtëse të një trashëgimi të tillë, sa të pazakonshme botërisht aq edhe të brishtë për botën ku jetojmë, nesër mund të jetë vonë. Prandaj mendoj se secili ka në dorë të bëjë diçka më shumë për t’ua treguar sa më kuptueshëm më të rinjve, vlerën e kësaj trashëgime dhe për të kultivuar tek më të vegjlit shpirtin e kësaj bashkëjetese në harmoni.
Edhe Qeveria e Shqipërisë ka në dorë të bëjë më shumë dhe ne do të përpiqemi të bëjmë më shumë, që kjo histori e veçantë shqiptare të bëhet pjesë e ushqimit shpirtëror për gjeneratën e re dhe e qasjes ndaj një Shqipërie të re me një sy të ri. Po sot unë dua t’i përcjell komunitetit mysliman shqiptar urimet më të mira për këtë muaj të shenjtë.
U uroj mirëseardhjen dhe i falënderoj për praninë e tyre përfaqësuesit e trupit diplomatik në Shqipëri; të nderuarin Selim Muça dhe pjesëtarët e Komunitetit Mysliman; kryetarin e Kuvendit të ri dhe deputetet e deputetët e kryeqytetit, që do përfaqësojnë “Aleancën për Shqipërinë Europiane” në kuvendin e ri; anëtarët e kryesisë së Partisë Socialiste dhe kryebashkiakët tanë të qyteteve kryesore të vendit. E gjithë gjenerata jonë që lindi dhe u rrit pa kambana kishash e këngë minaresh, e me fenë u takua në hapësirën e një lirie të ardhur me vrull të papërmbajtur, do t’u jemi gjithnjë mirënjohës krerëve të urtë të komuniteteve fetare. Të cilët, megjithëse u rikthyen në mision, pas një rrugëtimi cfilitës në ferrin e komunizmit, e kryen misionin e ringjalljes së fesë me zërin e urtësisë e të tolerancës. Dhe sot e gjithë ditën ushqejnë tek grigja e besimtarëve të tyre, ashtu si tek e gjithë shoqëria ndjenjën e respektit e të tolerancës për tjetrin.
Ky iftar është një tjetër mundësi që i japim vetes për të afirmuar pa dallim besimesh, vlerën e trashëgimisë së madhe të kulturës sonë të bashkëjetesës fetare. Ulemi në tryezë së bashku për të celebruar të vërtetën e bukur se kur vjen një ditë apo një muaj i shënuar për një besim fetar a një tjetër, ne shqiptarët jemi mësuar të sillemi si fëmijët e të njëjtit Zot. Por kjo është po ashtu një tjetër mundësi për të afirmuar atë që ne si shqiptarë kemi për detyrë t’ua përcjellim fëmijëve tanë, si një amanet prej të parëve të të njëjtit gjak pavarësisht besimeve të ndryshme.
Ja çfarë na ka lënë si pjesë të shndritshme të atij amaneti një mendje e ndritur shqiptare: “Në gjak të vet e shuguroi elterin e Atdheut, katoliku, ortodoksi e muhamedani; Gjeçovi e Gurakuqi, Topulli e Curri, Gërmenji e Negovani, nuk kanë ndryshim, por janë në një mendim e në një vendim, në vepër e në vdekje. Ata e vulosën me gjak çfarë qenë; na mbetet ne ta vulosim çfarë jena!”. Cilatdo qofshin besimet dhe për çfarëdo feste fetare u mbledhshim për të kremtuar, ne gjendemi gjithnjë bashkë në këto raste si afirmim i një tradite që na kërkon të bashkuar për të mirën e këtij vendi ku lindin fëmijët e Shqipërisë.
Edhe njëherë faleminderit të gjithëve që jeni këtu dhe uroj më gjithë zemër për çdo besimtar një Ramazan të bekuar” deklaroi Rama.

Edhe pse kemi bajram e pashke thote fishta shqiperine e kemi bashke .