Lideri i opozitës ka qenë i pranishëm dhe në tryezën për arsimin e lartë publik ku ka prezantuar pjesë nga program i PS-së. Duke folur nga kjo tryezë, kryetari i socialistëve, Edi Rama kritikoi edhe njëherë sistemin arsimor shqiptar duke deklaruar se pajis me diploma “të pavlefshme” të rinjtë shqiptarë. Sipas zotit Rama, licencat për universitetet private janë lëshuar pa kriter.
Arsimi publik
Kreu i PS-së theksoi nevojën e akreditimit dhe rankimit të universiteteve si dhe propozoi që fondet publike të shpërndahen mbi bazën e projekteve si të publikut ashtu edhe të privatit. “Duhet bërë menjëherë akreditimi, pa dallim publik apo privat. Verifikimi, akreditimi dhe rankimi kërkojnë transparencë me publikun dhe çdo prind që investon për fëmijët. Së fundi besoj se konkurrenca duhet të jetë mes tyre, për aksesin në fondet publike mbi bazën e projekteve”,- theksoi Rama. Sipas kryesocialistit, konkurrimi ndërmjet universiteteve për përfitimin e fondeve do të shërbente për rritjen e cilësisë. “Sfida fillon nga parauniversitarët, por sidoqoftë çështja duhet trajtuar nga A deri te ZH horizontalisht. Nëse nuk ndërhyjmë sot, ajo që do të ndodhë është një katastrofë, për shkak të sistemit tërësisht të kapur prej frikës dhe vulgaritetit.