Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur pasdite nga kreu i PS-së, Edi Rama. Gjatë konferencës së përbashkët të dhënë në fund të takimit, Rama tha se e njohu Haradinajn me projektin e opozitës shqiptare për dy shtetet, i cili synon bashkimin e shqiptarëve nën qiellin e Bashkimit Evropian dhe ka shpalosur hapat konkretë që do merren për këtë projekt.
Gjithashtu, gjatë konferencës, Rama iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për dështimin e pritshëm të statusit. Për kreun e PS-së, nuk mund të ketë status për Shqipërinë pa u zhvilluar zgjedhje të lira.
“Statusin Shqipëria mund ta marrë kur të zhvillojë zgjedhje të lira. Vetëm pak ditë përpara dhamë një provë të keqe me rënien në nivelin pas Etiopisë për shkallën e korrupsionit.
Shqipëria do ta marrë statusin pas zgjedhjeve sepse jemi të vendosur të mos e lëmë vendin të zvarritet në rrënimin e mëtejshëm.”, tha Rama.