Edi Rama ka qenë në qytetin e Korçës në kuadër të konsultimeve për programin e arsimit, ku përpara qindra qytetarëve ka bërë një skaner të arsimit në tërësi, duke u ndalur tek gjendja e nxënësve por edhe e infrastrukturës së shkollave. Lideri i opozitës ka evidentuar se gjatë këtyre viteve ka një ulje të ndjeshme të të rinjve që mbarojnë shkollën pedagogjike për shkenca ekzakte, çka ka çuar në mungesë të mësuesve për këto profile.
Kritikat e Ramës
“Mësuesit e anglishtes, të matematikës, fizikës, gjeografisë, kimisë po kthehen në specie në zhdukje, ndërkohë që në Shqipëri mund të gjesh me qindra juristë. Duhet një reformë dhe një risistemim të gjithë strukturës së arsimit tonë”, thotë Rama. Rama këmbënguli në orientimin e arsimimit drejt profesioneve pasi arsimi sot nuk i përgjigjet tregut të punës. Deputetja Ledi Shamku ka sjellë një analizë të plotë të altertekstit dhe të gabimeve të mëdha që gjenden në to. Edhe Dita e Çlirimit të Shqipërisë në tekstet e historisë jepet në dy data të ndryshme. Rama ka theksuar që gjatë këtyre viteve përqindja e analfabetizmit ka shkuar në 15 për qind. Në shumë zona të vendit shkollat janë mbi dy orë larg në këmbë dhe një pjesë e madhe e vajzave detyrohen ta braktisin shkollën pa mbyllur ciklin e detyruar. Arsimi ka probleme me emërimin e mësuesve në mënyrë politike, çka ka ndikuar edhe në cilësi. Në këtë takim, ku Partia Socialiste ka bërë edhe prezantimin e plotë të programit mbi arsimin, ka qenë i pranishëm edhe deputeti i zonës së Korçës, Ben Blushi.