Letër e nënshkruar
Ilia Berberi, Jani Filipllari
Shqipëria, tani ka një kryeministër… Përfaqësimi dinjitoz i kryeministrit Rama, ka mrekulluar shqiptarët e të gjitha trojeve, kudo ku ata jetojnë. Me gjithë trysninë e madhe politike që mbartte kjo vizitë, ai performoi liderin largpamës, vizionar të intonuar në akord programativ europian, duke eklipsuar plotësisht homologun Vuçiç. Ai ja doli me sukses, duke gëzuar e ngrohur zemrat tona, të mbushura me ankth, për vetë problematikën e kësaj vizite pas ndeshjes së futbollit.
Ishte pikërisht ky përfaqësim, simbol kulture politike, që e bën z.Rama jo vetëm një lider ballkanik, por edhe më gjerë, që e gjeti kryeministrin serb “të papërgatitur” duke e befasuar atë, i cili i detyruar “rrëshqiti” në deklarata primitive, dalë boje, si ajo e mos lejimit të poshtërimit të Serbisë. Është për të ardhur keq, që në Serbi nuk është kuptuar ende se ata janë “vetëposhtëruar” duke detyruar NATO-n të hedhë bomba mbi Serbi dhe duke arrestuar udhëheqësit e tyre, si kriminelë lufte, që po vdesin burgjeve të Europës një e nga një. Rama në Beograd ka fituar shumë, madje edhe ndeshjen e lënë përgjysmë dhe gjykuar përgjysmë nga UEFA, duke na bërë ne shqiptarët me nder dhe të ndihemi të barabartë mes të barabartëve europianë, ku është drejtuar busulla jonë. Mos pritja nga Nikoliç apo mos dhënia e dorës nga Vuçiç, pas konferencës për shtyp, nuk e ulin Ramën, por veten e tyre, duke u vetë prezantuar si primitivë. Primitivët janë “larvat” e barbarëve. Por ata edhe e ndjenë se u mundën në shtëpinë e tyre.
Është fat që ky përfaqësim i shqiptarëve në Serbi, i ra për “hise” z.Rama dhe jo paraardhësit të tij Berisha apo pasardhësve të tij liliputëve Luli e Co, të cilët në sinkron jo vetëm që nuk përshëndetën këtë vizitë, por po derdhin mllefin e tyre dalë nga shpirtrat e tyre të zinj, duke u prezantuar më serbë se serbi më i keq.
Turp! Janë po këta që n.q.s tani Ramën po e shajnë që përmendi Kosovën, do ta kryqëzonin pamëshirshëm n.q.s ai nuk do ta përmendte Kosovën. Marrëdhëniet Serbi-Shqipëri kalojnë nga Kosova. Fakti që Kosova tani është e pavarur, nuk është më në dorë të Vuçiçit apo Serbisë. Axhenda e pritshme e Kosovës është integrimi në Europë, ora e saj po punon me ritmin e kohës. Bravo Rama! Përshëndetje DITA!
