Rama: Vota e 18 qershorit, votë hakmarrjeje për padrejtësitë

Elton Tafaruci

Në Bashkinë më të madhe të fituar nga Partia Demokratike në zgjedhjet vendore të 2015, Kryeministri Edi Rama u ndal gjatë tek vendimi i kësaj partie për të mos hyrë në zgjedhjet e 18 qershorit.

“Partia Demokratike ka vendosur të arratiset nga fusha e betejës, të braktisë zgjedhjet dhe të lerë pa zgjedhje ata që janë mësuar ta votojnë dhe e ka bërë këtë për një arsye që tani e kanë marrë vesh edhe gjithë krapat e Liqenit të Shkodrës; e ka bërë sepse ka frikë nga drejtësia. E ka bërë sepse nuk do të ndahet nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar që ua kanë marrë shpirtin të gjithë shqiptarëve pa dallim, socialistë apo demokratë”, tha Kryeministri.

Rama ftoi demokratët që jo vetëm të dalin të votojnë në zgjedhjet e 18 qershorit, por…

“Unë nuk u them atyre që janë mësuar të votojnë Partinë Demokratike që të anëtarësohen me Partinë Socialiste, por u them që më 18 qershor bashkoni votën tuaj me tonën në mënyrë që të ndëshkojmë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, në mënyrë që të kemi më shumë punë, më shumë rritje ekonomike. Aty ku drejtësia nuk është e drejtë nuk mund të kemi zhvillimin që duam”, u shpreh ai.

Kryeministri e cilësoi votën për Partinë Socialiste më 18 qershor si votë hakmarrjeje kundër padrejtësive.

“Demokracia është mundësia e çdo individi dhe partie për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të marrë votat që i jep populli! Demokracia nuk është plaçkë që merret peng, as nga një parti, as nga një individ që thotë “o të iki qeveria, o s’ka zgjedhje pa mua”. Në demokraci të gjithë mund të paraqiten në zgjedhje, por asnjëri nuk është i detyruar të paraqitet dhe të tjerët nuk janë të detyruar që të presin atë që nuk do të paraqitet”, vijoi Kryeministri.

Rama tha se vendimi i PD për të mos hyrë në zgjedhje është vendim i marrë nga drejtuesit e saj dhe jo nga demokratët.

“Është zgjedhja e atyre që janë në krye të saj, nuk është zgjedhja e demokratëve që mendojnë si njerëz normalë”, tha ai.

“Ka vetëm një garanci sot për sot për të bërë Shqipërinë që duam dhe kjo garanci është Partia Socialiste e Shqipërisë”, deklaroi Kryeministri.

Share This Article
1 Comment
  • Gjatoshi e thote se 18 qershori eshte vote per hakmarje kunder padrejtesive . Ku e ke moralin ti qe vure ne rresht gjithe deputetet e tu te PS dhe na katapultove Liken President . Ti i thua derrit daje .Ruhajna o zot , cfare na shohin syte dhe na degjojne veshet!!..Provoje me referendum karrigen e Presidentit e te shohesh ,o shejtan budalla.Te pakten mos i hedh balte gjakut te 4 te pushkatuarve te 21 Janarit…..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *