Kreu socialist Edi Rama ka akuzuar maxhorancën se po shkel ligjin me zgjedhjen e kreut të institucionit të akuzës. Gjatë një tryeze për energjinë, Rama tha se Ina Rama nuk mund të shkarkohet para datës 23 maj.
“Berisha lëshoi vartësin e tij në Presidencë për të shkarkuar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin kryeprokuroren. Por Prokurorja e Përgjithshme nuk mund të shkarkohet para datës 23 maj, këtë e thotë Kushtetuta dhe ligji”, tha Rama.
Në takimin e organizuar nga PS-ja për çështjet e energjetikës, kryetari i socialistëve, Edi Rama, foli për përplasjen mes qeverisë dhe kompanisë CEZ Shpërndarje, pas vendimit të kësaj të fundit për të ndërprerë energjinë për ujësjellësat, që rezultojnë debitorë. Sipas Ramës, ndërprerja e energjisë tregon se privatizimi i shpërndarjes së energjisë dështoi.
“Ne paraqitëm shifra dhe prova dhe fakte që shpjegojnë atë që ndodh tani me buxhetet familjare në raport me energjinë elektrike. Janë vërtet ato që kemi parashikuar në momentet kur nisi privatizimi dhe kemi argumente lidhur me shtimin e paralajmëruar të procesit të privatizimit. Jo se ne jemi profet por ata që qeverisin Shqipërinë janë aq të trashë aq edhe të lexueshëm në paaftësinë dhe në babëzinë e tyre.” – deklaroi Rama.
Sipas kryesocialistit, “vendi është përpara një situate shumë problematike, pasi qeveria dhe kreu i saj e kanë futur vendin në qorrsokakun e borxheve.
“Buxheti i shtetit që kryeministri e cilësoi si buxhetin më të madh u prezantuar me 25 ditë vonesë dhe në shkelje të ligjit të sistemit buxhetor të Shqipërisë. U pranua hapatazi që kufiri i borxhit do të jetë më shumë se detyrimi ligjor prej 60 përqind. Shqipëria u fut në qorrsokakun e borxheve që i merr Saliu po i paguajnë shqiptarët të cilët po mbajnë gjallë vetëm frymën. Ne e themi me plotë bindje që buxheti i 2013-ës është në fakt pararendësi i një problemi tjetër të madh pas problemit të piramidave” – tha Rama.