Ramazan pa iftar. “Nuk ka dyshim që pas vështirësisë vjen lehtësimi”

redaktor

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, ramazani do të jetë ndryshe këtë vit. Shumë vende e kanë kufizuar lirinë e tubimeve dhe xhamitë janë të mbyllura. Pelegrinazhet për në Mekë aktualisht nuk lejohen, pasi Arabia Saudite e ka mbyllur vendin e shenjtë për momentin.

Periudha njëmujore e agjërimit islam fillon sot. Gjatë Ramazanit myslimanët lejohen të hanë dhe të pinë vetëm në mbrëmje dhe natën.

Në vendin tonë, njoftimin për fillimin e muajit të shenjtë të Ramazait e dha Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.

Të nderuar besimtarë, më 24 prill fillon Muaji i Bekuar i Ramazanit. Kam kënaqësinë dhe nderin të uroj në emrin tim personal dhe në emrin e institucionit që përfaqësoj të gjithë besimtarët myslimanë nga Shqipëria, trevat shqiptare, diaspora dhe më gjerë: Gëzuar muajin e begatë të Ramazanit.

Jemi mësuar që Ramazanin ta presim me namazin e teravive, me përqafimet vëllazërore, me lutjet e përbashkëta krah në krah, por këtë Ramazan po e presim me një atmosferë ndryshe”, shprehet kreu i KMSH.

Kreu i KMSH thotë se ky Ramazan do ta përjetojmë në një rreth të ngushtë familjar dhe pa tubime.

Situata e krijuar nga Covid-19 na ka detyruar që Ramazanin këtë vit ta përjetojmë kryesisht brenda një rrethi të ngushtë dhe familjar. Me shpresën dhe lutjet që tubimet për teravi, namaze nate dhe përjetimi i këtij muaji në xhemat të kthehet sa më shpejt.

Feja Islame i ka dhënë një rëndësi të madhe xhematit, adhurimeve të përbashkëta në grup, por Allahu i ka dhënë mundësinë njeriut që ta adhurojë Atë edhe individualisht. Kjo vlen edhe për Ramazanin”, thotë ai.

“E nisim këtë muaj me sihariqin që Allahu na jep në Kuranin famëlartë në suren Inshirah ku thuhet: “E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi”.

Muaji i Ramazanit është muaji i durimit, i lutjes, i Kuranit, i bujarisë, është muaji i dashurisë, vlerave njerëzore, respektit dhe dorëzimit ndaj Krijuesit.

Gjatë këtij muaji të rizgjojmë ndjenjat e bukura, të ndezim shpresat, të pastrojmë ndërgjegjet dhe të lutemi sa më shumë, sepse mëshira e Zotit në këtë muaj është e pakufishme”, shprehet kreu i KMSH.

Ndër të tjera, ai thotë se në një situatë që nuk mundemi të realizojmë iftare të përbashkëta, le të japim sa më shumë ndihmë për familjet në nevojë.

Gjatë Muajit të Ramazanit, shumë xhami do të transmetojnë online lutjet dhe ceremonitë tjera fetare ndërkohë që ka edhe nga ata besimtarë që thonë se planifikojnë të marrin pjesë në disa iftare virtuale, në të cilën do të kenë mundësinë të ndërveprojnë me të tjerë kur thyejnë agjërimin në mbrëmje.

e.r/dita

 

Share This Article
6 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *