Nëse Reali i Madridit arriti të kualifikohej në finalen e UEFA Champions League këtë sezon, padyshim një meritë të madhe për këtë e ka mbrojtësi Sergio Ramos që me dy golat e tij në “Alianz Arena” hodhi knock-out Bayern Munich në gjysmëfinalen e kthimit. Finalja e Lisbonës mes Los Blancos dhe Atleticos është shumë pranë dhe sipas 27-vjeçarit Ramos kjo finale është një shpërblim për Realin për punën e madhe që skuadra ka bërë në këto tre vite.
“Kjo finale është diçka unike për ne, por mbi të gjitha është si një shpërblim për punën e bërë në gjithë këto vite. Ne nuk ndjehemi aspak nën presion, edhe pse kemi dëshirë të madhe për të triumfuar sidomos për tifozët tanë që prej vitesh e presin një sukses të tillë”, thotë spanjolli.
I pyetur nëse kjo finale mund të jetë afërsisht e ngjashme me atë të një viti më parë ku në “Santiago Bernabeu” Reali u mposht 2-1 nga Atletico në finalen e Kupës së Mbretit, Ramos u përgjigj në këtë mënyrë: “Nuk besoj se ndryshojnë shumë. Jemi praktikisht të njëjtët futbollistë, është në lojë një trofe dhe mendoj se shanset për të triumfuar janë 50 me 50”.
Në fund ish-mbrojtësi i Sevilias theksoi se një meritë e padiskutueshme për këtë sezon të madh që kanë zhvilluar Los Blancos i atribuohet padyshim trajnerit Carlo Ancelotti.
“Përveçse është shefi dhe ai që drejton, Ancelotti për ne është një mik shumë i mirë, që na kupton në perfeksion për gjithçka. Kjo gjë na e thjeshtëson akoma më shumë punën dhe na rrit besimin në vetvete ne futbollistëve. Besoj se ai është një nga shkaqet që Reali ka zhvilluar një sezon fantastik”, përfundoi Ramos.
