Organizata Amnesty International thotë se mijëra njerëz janë ekzekutuar në Kinë vitin e kaluar, duke bërë që ky vend të jetë në krye të listës së vendeve, që zbatojnë këtë dënim, megjithëse mungesa e statistikave e bën të pamundur konfirmimin e këtij numri. Sipas Amnesty International, Kina pasohet nga Irani, Iraku, Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara për nga numri i ekzekutimeve vitin e kaluar.
Amnesty International thotë se 21 vende zbatuan dënimin me vdekje gjatë vitit të kaluar, i njëjti numër sa në vitin 2011, por me një rënie prej 25 për qind krahasuar me një dekadë më parë.
Organizata publikoi sot raportin e saj vjetor, duke thënë se 682 njerëz u ekzekutuan në gjithë botën në vitin 2012.
Raporti thotë se Kina kreu mijëra ekzekutime, shumë më tepër se çdo vend tjetër i botës, por mungesa e statistikave e bën të pamundur konfirmimin e këtij numri.
Rosane Rife e Amnesty International i bëri thirrje Kinës që t’i bëjë publike statistikat e ekzekutimeve me vdekje.
“Amnesty International i bën thirrje qeverisë kineze që mbi të gjitha të zbatojë një moratorium mbi përdorimin e dënimit me vdekje. Por një prej hapave të parë duhet të jetë publikimi i të dhënave mbi numrin e dënimeve të tilla në mënyrë që të zhvillohet një debat i hapur mbi këtë çështje”.
Zonja Rife thotë se është tepër shqetësuese që informacioni mbi dënimet me vdekje në Kinë është sekret shtetror dhe si pasojë publiku nuk është në dijeni të situatës.
Ekspertja e Amnesty International thotë se, bazuar në amendamentet e ligjeve dhe qëndrimet e ndryshme të autoriteteve, ka shenja se qeveria kineze mund të heqë dorë nga dënimi me vdekje, por për shkak të sekretit shtetëror, është e pamundur të dokumentohen ndryshimet e propozuara.
Sipas raportit të Amnesty International, Irani është në vend të dytë me të paktën 314 ekzekutime, shumë prej të cilave për krime drogash. Iraku është në vend të tretë.
Amnesty International vë në dukje se dënimet me vdekje në Iran, Irak dhe vende të tjera shpesh shkelin standardet e proceseve të drejta ligjore.
Raporti i Amnesty International radhit Arabinë Saudite si vendin e katër për nga numri i ekzekutimeve, me 79 gjatë vitit 2012, pasuar nga Shtetet e Bashkuara me 43 ekzekutime.
Amnesty International kundërshton dënimin kapital në të gjitha rastet dhe mbështet heqjen e këtij dënimi.