“Nuk ka asnjë shpresë. Gjithçka do rregullohet”, thonë viktimat
Duke i cilësuar si shkatërrimtare, tragjike, komplekse, zemërdridhëse, zemërngrirëse, kurajoze, të turpshme, burime të besueshme raportuan të enjten reformën në drejtësi, zjarre masive, kriza gjeopolitike, alergji stinore, shkelje të të drejtave të njeriut, ekzekutim me gjakftohtësi, Lindje e Mesme, turistë të marrë peng, rritje te GDP, dilema moralo-etike, kupona tatimorë dhe Edi Paloka.
Gjatë kohës që Kisha Ortodokse, Xhamia e rrugës së Kavajës, energjia bërthamore, papunësia dhe korrupsioni i zyrtarëve të lartë ndodhën diku, raportet njoftojnë për një krizë të madhe mjedisore, rritje të qerave dhe ulje të shitjeve të banesave, mashtrim elektoral dhe lidhja e gjyqtarëve kuqezi bashkë me atë të avokatëve verdhekuq. Vapë e madhe, shtuan më pas raportet.
“Jemi në mes të një krize të paprecedentë”, tha një personalitet shumë i lartë në një intervistë ekskluzive për Gojët e Liga, duke shtuar se tensionet mbeten të larta kurse durimi po sos, “druaj se e keqja nuk ka ardhur akoma. Dhe pasojat do të jenë edhe më të rënda. Pra, puna po shkon birinxhi”.
Sipas atyre që e njohin mirë situatën, minat kundër njeriut, ndotja e ujit të pijshëm, ligjet e armëmbajtjes, kompanitë e sigurimit dhe një prostitutë që gazetarët insistojnë ta quajnë punëtore seksi, janë duke pasuar mjekun që mori zarfin, gjendjen skandaloze të arsimit, sukses në arsim dhe gjendjen ekonomike në këndvështrimin afatmesëm e afatgjatë.
“Ka diçka që shqiptarët dhe gjithë bota duhet ta dinë”, pohoi një lojtar kyç i një historie misterioze që ende nuk është zbardhur, duke shtuar se ai ka kontaktuar atë televizionin e njohur pasi lexoi atë që e quajti “shembull i gazetarisë së përgjegjshme, autoritare, inteligjente, rigoroze. Shyqyr që kemi një media e cila flet vetëm të vërtetën”, shtoi ai.
Atë që u ndikuan direkt, sipas burimeve shprehën zemërim, dëshpërim, pështjellim, gëzim pervers dhe qetësi të çuditshme. Një ndjenjë e përgjithshme se çdo gjë ka shkuar për lesh, se shpresat ende janë gjallë dhe se kthimi në normalitet do kërkojë kohë, mbizotëroi tek njerëzit. “Gjendja është e tmerrshme”, deklaroi një njeri dukshëm i hutuar, komentet e të cilit përsëritën ato të miliona njerëzve dukshëm të hutuar që flisnin gjuhë nga shqipja e hungarezçja, tek anglishtja dhe pashtuni, “sapo kam humbur (shtëpinë, dyqanin, dinjitetin, krejt familjen për faj të një gjenocidi që askush nuk e quan gjenocid, patentën, gjithçka)”.
“Po do ti që sikur ndjehem ca më mirë tani?”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, përveç SHISH-it, energjisë së pastër dhe Eduard Shalsit, janë edhe bandat dhe kultet e reja fetare. Pa harruar obezitetin. Sipas njoftimeve më të fundit, sapo ka ndodhur Spartak Ngjela.
***
Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Raporti i mësipërm sapo është shtrydhur nga 27 gazeta e redaksi lajmesh vendase dhe të huaja. Konsumohet me akull.

Keni harruar te shtoni ne kete raport te mrekullueshem dicka qe keni botuar ne gazeten tuaj: Fituesi i cmimit Nobel ne letersi Soyinka mban premtimin per te lene SHBA per shkak se zgjedhjet presidenciale i fitoi Trumpi. Te gjithe shkrimtaret ndjehen keq nga kjo ngjarje, por nga ana tjeter jane te bindur se ka shprese akoma qe Hillary te fitoje zgjedhjet e ardhshme, pra shkrimtaret ne pergjithesi dhe fituesit e cmimit Nobel ne letersi ne vecanti do te kene rastin te djersijne me pak kur shkruajne ne dhoma me ajer te pakondicionuar dhe do te vazhdojne ta quajne SHBA dhe kushedi pse edhe Shqiperine si yll ndricues ne rrugen drejt demokracise Adriatike.
27 gazeta dhe agjenci lajmesh pa saliberishe brenda?! Nuk ben vaki, ose ben vaki te jete ne Dhermi qe nga vera duke zgjatur rekordin e te ndenjurit ne une, osé ne mungese te ujit ne water.