RAPORTI: Demokracia po tkurret në të gjithë botën

Ornela

Demokracia është “nën sulme dhe po tkurret” në gjithë botën; Shtetet e Bashkuara kanë hequr dorë nga roli tradicional si kampione të idealeve demokratike, ndërsa Rusia dhe Kina “kanë rritur represionin” dhe “ndikimin e keq jashtë vendit”, thuhet në raportin e organizatës Freedom House, të titulluar Liria në Botë 2018.

Grupi joqeveritar, me seli në Uashington, e radhit Kosovën në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Shqipërinë, Maqedoninë, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi nga rajoni, dhe me Pakistanin, Armeninë, Ukrainën e të tjera nga bota.

Serbia dhe Kroacia, në raport, futen në mesin e vendeve të lira. “Demokracia po përballet me krizën me serioze në dekada”, tha presidenti i Freedom House, Michael Abramoëitz. “Parimet themelore të demokracisë, përfshirë garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të drejtat e pakicave, lirinë e shprehjes dhe sundimin e ligjit, janë nën rrethim në gjithë botën”, shtoi ai. Raporti thotë se 2017-ta ka qenë viti i 12-të radhazi i rënies së lirisë globale – me 71 vende që kanë vuajtur rënie në të drejtat politike dhe liritë civile. “Një zhvillim i madh në vitin 2017 ka qenë zmbrapsja e Shteteve të Bashkuara nga pozita e kampionit dhe shembullit të demokracisë”, thuhet në raport.

Freedom House thotë se ka gjurmuar “rënie të ngadalshme të të drejtave politike dhe lirive civile në SHBA gjatë shtatë vjetëve të kaluar”. Freedom House thotë se “regjimet autokratike në Rusi dhe Kinë “kanë përfituar nga tkurrja e demokracive kryesore” dhe “po veprojnë përtej kufijve të tyre”.

Freedom House ka bërë vlerësimin në 195 vende të botës, nga të cilat 88 janë radhitur si të lira, 58 pjesërisht të lira dhe 49 jo të lira. Në fund të listës janë: Siria, Sudani Jugor, Eritrea, Koreja e Veriut dhe Turkmenistani.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *