Procesi i dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë do të vijojë pa një afat të përcaktuar qartë. Qeveria ka ndërhyrë në legjislacion duke hequr afatin prej 8 vitesh, të mbylljes së këtij procesi. “Nga një hetim që Avokati i Popullit i ka bërë legjislacionit, rezulton se ekziston vetëm data e nisjes së procesit të dëmshpërblimit (që përkon me vitin 2007), ndërsa është lënë pa një datë fikse përfundimi i tij”, thuhet në raportin e AP. Sipas raportit të Avokatit të Popullit problematikat e parashtruara në ankesat, apo kërkesat e tyre kanë të bëjnë kryesisht me pretendimet për: mospërfitimin në mënyrë të padrejtë të dëmshpërblimit në kushtet e cilësuara nga ligji nr. 9831 datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, i ndryshuar; mospërfitimin e kësteve të dëmshpërblimit që përfitojnë si ish të dënuar politik; caktimin jo korrekt të masës së dëmshpërblimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë; zvarritjen e procedurave për caktimin e masës së dëmshpërblimit; mosgjetjen e mundësive reale të futjes në përdorim të letrave me vlerë të përfituara si ish i dënuar politik; mundësimin e marrjes së shumës totale të dëmshpërblimit në mënyrë të menjëhershme dhe jo sipas radhës së kësteve të përcaktuara etj. Pikërisht, bazuar në trajtimin dhe analizën që Avokati i Popullit i ka bërë këtyre problematikave dhe ndërhyrjeve që, ai ka ndërmarrë për zgjidhjen e tyre është përgatitur ky raport i veçantë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.
Letër ndaj ministrive të linjës për dëmshpërblimin
Për këtë arsye, nisur edhe nga ankesat dhe një sërë problematikash me të cilat po përballet shtresa e ish të përndjekurve politikë, Avokati i Popullit i është drejtuar qeverisë me një draft/raport i cili përmban disa rekomandime për ndërhyrje në legjislacion për sa i përket vendosjes së një afati të arsyeshëm për mbylljen e procesit të dëmshpërblimit; ashtu edhe për përfshirjen në proces të të gjitha kategorive. Nisur nga greva e zhvilluar prej tyre në muajt shtator-tetor të vitit 2012, Avokati i Popullit ka kryer disa hetime dhe ka konstatuar disa parregullsi në menaxhimin e grevës. Viti 2012 ka qenë më dinamik në kuadër të kërkesave që ish të dënuarit politikë kanë parashtruar për zgjidhje për realizimin e të drejtave të tyre. Problematikat e parashtruara në këto ankesa, apo kërkesa, kanë të bëjnë me pretendimet për: mospërfitimin në mënyrë të padrejtë të dëmshpërblimit në kushtet e cilësuara nga Ligji Nr. 9831 datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, i ndryshuar; mosgjetjen e eshtrave të të afërmve, ish të dënuar politikë, të vdekur gjatë vuajtjes së dënimit; mospërfitimin e kësteve të dëmshpërblimit që përfitojnë si ish të dënuar politikë; caktimin jo korrekt të masës së dëmshpërblimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë; zvarritjen e procedurave për caktimin e masës së dëmshpërblimit; mosgjetjen e mundësive reale të futjes në përdorim të letrave me vlerë, të përfituara si ish i dënuar politik; mundësimin e marrjes së shumës totale të dëmshpërblimit në mënyrë të menjëhershme dhe jo sipas radhës së kësteve të përcaktuara; zvarritjen e procesit të dëmshpërblimit për grupimin e të internuarve, sipas parashikimeve të ligjit; e trajtimin me ndihmë sociale nga shteti për këtë kategori.
Roli i policisë gjatë grevës së ish-të përndjekurve
Menjëherë, sapo jemi njoftuar për të dy rastet e bëra publike, ku flitej për shkelje të të drejtave të njeriut nga organet e Policisë së Shtetit është dërguar në vend një grup pune nga ana e institucionit tonë. Grupi i punës ka dëgjuar të gjitha pretendimet, që grevistët e urisë kishin ndaj shërbimeve të Policisë së Shtetit. Sipas tyre, punonjësit e Komisariatit të Policisë Nr. 2, Tiranë, të cilët ishin të vendosur me shërbim pranë ambienteve ku zhvillohej greva e urisë, në dy raste kishin hyrë në çadrën e tyre dhe pasi kishin bërë kontroll kishin nxjerrë jashtë çadrës disa sende të tyre, si bidona me çaj, glukozë, pako me sheqer, pako me trisol dhe pako me kafe. Pas këtij veprimi të kryer nga policia, grevistët në shenjë proteste kishin nxjerrë jashtë çadrës edhe ujin e pijshëm, duke shpallur grevën e vdekjes. Ndërkohë, grevistët pretenduan se, policia iu kishte ndërprerë takimet me familjarët, me koordinatorët e grevës dhe me median. Gjithashtu, ata kërkuan largimin e policisë nga ambientet e grevës.
12 konkluzionet e Avokatit të Popullit për ish-të përndjekurit
Veprimtaria e institucionit të Avokatit të Popullit, gjatë vitit 2012, lidhur me trajtimin e ankesave që, lidhen me realizimin e të drejtave të ish të dënuarve politikë të regjimit komunist, nxjerr këto konkluzione:
1. Realisht sot, ish të dënuarit politikë të regjimit komunist përfaqësojnë një nga shtresat shoqërore, e cila ende nuk ka përfituar tërësisht të drejtat që i takojnë, pavarësisht hapave pozitive të ndërmarra nga shteti për trajtimin e tyre. Ndër hapat kryesorë është miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë, i Ligjit nr. 9831 datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, i ndryshuar, në zbatim të të cilit kanë dalë një sërë aktesh nënligjore, siç edhe VKM nr. 419 datë 14.04.2011 “Për miratimin e afateve dhe të skemës së shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë të regjimit komunist”, apo VKM të tjera që, përcaktojnë nominalisht përfituesit e kësteve të dëmshpërblimit financiar.
2. Aktet normative që janë në fuqi në vendin tonë nuk parashikojnë të drejtën e grevës së urisë dhe kjo mangësi ligjore, duhet plotësuar.
3. Veprimet e policisë të kryera me grevistët e urisë duke i hequr dhe mos lejuar futjen e për rrjedhojë përdorimin e lëngjeve (çajit), sheqerit, trisolit dhe kafes në ambientet e grevës janë jo ligjore dhe jo humane.
4. Ndërprerja e komunikimit të grevistëve me organet e medias cënon të drejtën e shprehjes së çdo njeriu për të dhënë opinione, për të dhënë e marrë informacione të garantuar nga neni 22/1 i Kushtetutës. Ndërkohë nga policia është cenuar edhe liria e shtypit, e radios dhe e televizionit e garantuar nga neni 22/2 i Kushtetutës.
5. Mjekët e pranishëm me gjithë përkushtimin e treguar, nuk kryen detyrën e tyre për menaxhimin e grevës së urisë, sikurse parashikohet në disa akte ndërkombëtare të miratuara Asambleja Botërore e Mjekësisë dhe Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës.
6. Personeli mjekësor dhe punonjësit e Policisë së Shtetit kanë nevojë që të njihen me aktet ndërkombëtare e rajonale që trajtojnë grevën e urisë dhe të trajnohen në vijimësi lidhur me mënyrën e menaxhimit dhe monitorimit të grevave të urisë.
7. Trajtimi i grevës së urisë nxori në pah mungesën e vullnetit nga ana e organeve përkatëse të administratës shtetërore për zhvillimin e dialogut me grevistët, për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme nga palët, kërkesë që nuk u mor parasysh, as pas ndërhyrjes së Avokatit të Popullit për këtë qëllim.
8. Konstatohet se, procesi i dëmshpërblimit të ish të dënuarve politikë, nuk ka ecur me ritmet e dëshiruara, për shkaqe të cilat, lidhen kryesisht me ndryshimet që ka pësuar Ligji nr. 9831 datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, në vitin 2009, me ligjin nr. 10111 datë 2.04.2009.
9. Përmbajtja e ligjit bazë (ligji nr. 9831 datë 12.11.2007), e ndryshimeve që ai ka pësuar, por edhe e akteve nënligjore të dala në zbatim të tyre (kjo pjesë i referohet VKM nr. 419 datë 14.04.2011), ka krijuar konfuzion në ecurinë e pritshme të procesit të dëmshpërblimit nga ana e subjekteve të interesuara dhe efektivisht ka çuar në konkluzionin e perceptuar prej tyre, të moszbatimit të ligjit.
10. Pavarësisht kërkesave të hershme për dëmshpërblim, që janë paraqitur nga subjektet e interesuara, përfaqësues të kategorisë së të internuarve ose të dëbuarve nga regjimi komunist (gërma “b”, e nenit 6, të Ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”), institucionet përkatëse shtetërore ende nuk kanë ndërmarrë iniciativën legjislative për t’i propozuar Këshillit të Ministrave nxjerrjen e akteve përkatëse nënligjore që, do t’i mundësojnë marrjen e dëmshpërblimit kësaj kategorie.
11. Pavarësisht kërkesave të hershme për dëmshpërblim, që janë paraqitur nga subjektet e interesuara, përfaqësues të kategorisë së të internuarve ose të dëbuarve nga regjimi komunist, institucionet përkatëse shtetërore ende nuk kanë ndërmarrë iniciativën legjislative për t’i propozuar Këshillit të Ministrave, miratimin e skemës së pensionit me anë të Vendimit përkatës, skemë nga e cila do të përfitojnë dëmshpërblimin këto kategori ish të dënuarish politikë.
12. Procesi kompleks i dëmshpërblimit të ish të dënuarve politikë të regjimit komunist, nxjerr nevojën e miratimit në Kuvendin e Shqipërisë, në një kohë sa më të shpejtë të projektligjit, i cili do t’u japë mundësi trajtimi me dëmshpërblim edhe atyre ish të dënuarve politikë që nuk kanë mundur për arsye të ndryshme të plotësojnë dokumentacionin dhe të paraqesin kërkesën, brenda afatit të parashikuar nga Ligji nr. 9831 datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, i ndryshuar.