Banka e Shqipërisë ka publikuar dje raportin e stabilitetit financiar për gjashtë mujorin e vitit 2012. Megjithë dëshirën për të parë me tone pozitive ecurinë ekonomike të vendit tonë, treguesit fiskalë dëshmojnë të kundërtën. Të dhënat fiskale për fundin e vitit 2012 dëshmojnë për një rënie të totalit të të ardhurave me 0.03% në terma vjetorë, duke shënuar vlerën 330.4 miliardë lekë. Po kështu dhe shpenzimet kanë rënë në një masë të ngjashme, duke shënuar vlerën 376.2 miliardë lekë. Si shkak për këtë sipas raportit të Bankës është ecuria e të ardhurave të përgjithshme është diktuar nga performanca më e dobët e të ardhurave tatimore, për shkak të peshës së tyre më të lartë në buxhet, ndonëse të ardhurat jotatimore janë rritur në terma vjetorë. Në këtë mënyrë totali i shpenzimeve ka reflektuar uljen e ndjeshme të shpenzimeve kapitale, megjithë rritjen e shpenzimeve korrente në këtë periudhë. Deficiti buxhetor rezulton në një nivel prej 45.9 miliardë lekësh në fund të vitit 2012, ose 3.4 për qind e PBB-së. Ky deficit është financuar nga burime të brendshme në masën 57.8% dhe nga burime të jashtme për 42.2 për qind të tij. Për sa i përket borxhit publik, stoku i tij shënoi një vlerë prej 828 miliardë lekësh në fund të vitit 2012. Kohëzgjatja mesatare e tij është rritur në krahasim me fundin e vitit paraardhës, duke arritur në 386 ditë deri në maturim në fund të kësaj periudhe. Rreth 56.8 për qind e stokut të borxhit përbëhet nga stoku i borxhit të brendshëm. Ecuria e normës së inflacionit gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2012 reflektoi presionet e ulëta inflacioniste duke rezultuar brenda zonës s synuar dhe nën objektivin pikësor të Bankës së Shqipërisë. Zgjerimi i ekonomisë në terma vjetorë po ashtu është minimal me 1.7 për qind. Kontributi i vetëm pozitiv i ardhur për ekonomië shqiptare duket se ka ardhur nga ai i shërbimeve të postë telekomunikacionit me 24 për qind rritje. Ndërkohë, transporti dhe sektori i ndërtimit kanë vijuar të tkurren në këtë periudhë, përkatësisht me 8.4 për qind dhe 15.4 për qind në terma vjetorë. Tregtia ka pësuar gjithashtu një tkurrje prej 1.7 për qind. Bazuar në treguesit e tërthortë, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2012, konsumi dhe investimet private në vend mbetën në nivele të ulëta. Ngadalësimi i kreditimit dhe i stimulit fiskal, ndikuan në dobësinë e kërkesës së brendshme dhe të asaj agregate pavarësisht përmirësimit të eksporteve neto. Kërkesa e huaj mbetet sidoqoftë e paqëndrueshme në kushtet e performancës së dobët ekonomike në vendet partnere në tregti. Një tregues negativ i perforamncës ekonomike të vendit tonë mbetet dhe tkurrja e pagës mesatare në 6.5 për qind në terma realë. Kjo situatë është reflektuar edhe në treguesin e besimit konsumator i cili është përkeqësuar në tremujorin e fundit të vitit. Kjo gjithashtu është reflekuar dhe në rritjen e nivelit të papunësisë prej 13.26 për qind në fund të vitit 2012, duke u ngushtuar me vetëm 0.03 pikë përqindje në terma vjetorë. Kjo ka cuar sipas raportit në pritshmëri të ulta në tregun e punës për periudhën pasardhëse, sidomos për sektorin e industrisë dhe atë të ndërtimit.