Raporti i BB: Ekonomia shqiptare u rrit 2.1% gjatë vitit 2014

redaktor

Perspektiva evropiane në rigjallërimin e ekonomisë mbetet ende larg pritshmërive, por vendi ynë duket se ka qëndruar brenda objektivave të vendosura nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Kështu konfirmohet në raportin e Bankës Botërore mbi perspektivën e ekonomisë globale, ku Shqipëria vlerësohet me një rritje ekonomike 2.1 për qind për vitin që lamë pas. Sipas parashikimeve duke ruajtur këtë ritëm, ekonomia jonë shihet në një perspektivë rritje graduale në vitet që vijojnë.

Kështu parashikimet e specialistëve të BB-së flasin për një rritje ekonomike 3 për qind në vitin 2015, e më pas në vitin 2016 e 2017 përkatësisht në 4 dhe 4.5 për qind.

Shlyerja e detyrimeve ndaj biznesit, krijimi i një tregu më të barabartë si dhe rritja e eksporteve duket se kanë qenë treguesit kryesorë që kanë ndikuar në rritjen ekonomike në këto nivele.

Edhe pse kjo rritje mund të konsiderohet modeste, viti 2013 trashëgoi një ekonomi të rrënuar, me biznese në krizë të thellë likuiditeti, me probleme të mëdha kreditimi etj.. që në mënyrë të drejtpërdrejtë thelluan krizën ekonomike, e ndikuar padyshim dhe nga kriza globale.

Ky tregues i dalë dje nga raporti i BB-së tregon se ekonomia shqiptare po shkon drejt një rritje të qëndrueshme.

Ekonomia në rang global

Në rang global, Banka i korrigjoi në ulje vlerësimet për rritjen ekonomike. Sipas saj këtë vit prodhimi global do rritet me 3 për qind nga 3.4% që ishte vlerësuar në qershor, ndërkohë që parashikimet janë korrigjuar në ulje edhe për vitin e ardhshëm.

Më e prekura është Eurozona, ku vlerësimi për rritjen ekonomike në vitin 2015 u korrigjua në ulje nga 1.8 në 1.1 për qind. Madje raporti paralajmëron se Europa mund të përballet me një periudhë të gjatë inflacioni të ulët dhe rritje të ndrydhur ekonomike.

Po kështu dhe viti 2014 ishte jashtë pritshmërive, thekson raporti. Rritja ekonomike ishte modeste në vitin 2014 me 2.6 për qind, nga 2.5 për qind që ishte në vitin 2013. Dy vendet që kanë luajtur një rol pozitiv në ekonominë globale janë Amerika dhe Anglia, ku sipas raportit vlerësohen me një treg pune të shëruar dhe politika monetare favorizuese.

Në Eurozonë dhe Japoni, vlerëson raporti ndihen ende të fuqishme efektet e krizës financiare, ndërsa dhe Kina i ka frenuar ritmet e rritjes ekonomike.

Në vlerësimin e performancës, rritja globale pritet ecë në mënyrë të moderuar duke qëndruar në nivelin 3 për qind për vitin 2015, dhe mesatarisht rreth 3.3 për qind në vitin përmes 2017.

Në vendet në zhvillim, rritja është projektuar për të përshpejtuar gradualisht, nga 4.4 për qind në 2014, në 4.8 për qind në 2015 dhe 5.4 për qind nga 2017.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *