Komiteti Shqiptar i Helsinkit i rekomandon institucioneve ligjzbatuese në vend, të veprojnë me efikasitet në luftën kundër fenomenit të korrupsionit, i cili po pengon përparimin dhe zhvillimin e reformave të qëndrueshme në vend.
KSHH risjell në vëmendje faktin se, pas liberalizimit të vizave për vendin tonë, vërehet se numri i shtetasve shqiptarë që largohen drejt shteteve të Bashkimit Evropian është rritur.
Sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve të azilit në BE dhe European Stability Initiative, azilkërkuesit qëlargohen nga vendet e Ballkanit Perëndimor duke përfshirë edhe Shqipërinë, në shumicë dërrmuese ikin për shkak të varfërisë, papunësisë dhe mungesës së perspektivës në vendet e tyre.
Gjithashtu niveli i lartë i korrupsionit po ndikon negativisht në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe ndëshkueshmërinë e veprave penale në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë të veprave penale në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit vlerëson se refoma në drejtësi do të jetë thelbësore në luftën kundër korrupsionit. Deri në miratimin e paketës kushtetuese dhe ligjore për reformimin e sistemit të drejtësisë, KSHH vlerëson se policia, prokuroria dhe gjykata kanë në dispozicion të gjitha mjetet ligjore për të vënë para përgjegjësisë penale çdo person që korrupton dhe korruptohet, pavarësisht nga statusi politik, funksioni, gjendja ekonomike ose çdo shkak tjetër që ka çuar në rritjen e nivelit të pandëshkueshmërisë në vend.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit vëren se, rritja e popullimit në institucionet penitenciare ka ardhur si rrjedhojë e ashpërsimit të politikës penale dhe kriminalizimit të disa formave të reja të veprave penale, ndërkohë që kapacitetet e institucioneve tona penitenciare nuk I përgjigjen politikës penale që është ndjekur në këto vite.
Gjithashtu, Komiteti Shqiptar i Helsinkit vëren se masa e sigurimit arrest në burg është ndër masat që aplikohet më shumë nga gjykatat, ndërkohë që arresti në burg mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit.
Zvarritja në hetimin dhe gjykimin e çështjeve është një tjetër problem që trajtohet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Komiteti Shqiptar i Helsinkit vlerëson se kjo zvarritje sjell zbehjen e provave, nuk i shërben parandalimit dhe goditjes së kriminalitetit, ndikon në mbipopullimin në paraburgime dhe lëkund ndjeshëm besimin e shtetasëve ndaj organeve të drejtësisë.
Komiteti Shqiptar I Helsinkit vëren se, edhe pse kuadri ligjor për mbrojtjen nga diskriminimi është përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme, në përputhje me standartet dhe direktivat e BE-së, zbatimi I këtij legjislacioni në praktikë është i dobët.
KSHH i rekomandon Komisionerit për mbrojtjen nga diskriminimi të jetë më aktiv në ushtrimin e kompetencave që i ngarkohen me ligj, ndërkohë që institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin më shumë masa positive që synojnë vendosjen e barazisë midis shtetasve si dhe nisma sensibilizuese antidiskriminim.
Së fundmi, Komiteti Shqiptar i Helsinkit e quan të nevojshme të shprehet për një bashkëpunim më të mirë, më të koordinuar dhe më efektiv, sidomos me ato organizata jofitimprurëse që veprojnë në fushën e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të shtetasve.
