Departamenti i shtetit amerikan thotë se problemet kryesore të të drejtave të njeriut në Kosovë, përgjatë vitit 2017, ishin sulmet ndaj gazetarëve; dhuna kundër personave të zhvendosur; korrupsioni endemik i qeverisë; mungesa e pavarësisë së gjyqësorit duke përfshirë dështimet e proceseve e zbatimin përzgjedhës të vendimeve; si dhe dhuna kundër pjesëtarëve të pakicave etnike dhe anëtarëve të komunitetit LGBTI.
Ndonëse Kushtetuta ofron një drejtësi të pavarur, – thuhet në raport, – administrata e drejtësisë është e ngadalshme dhe nuk ka mundësi për të kërkuar llogari nga zyrtarët e gjyqësorit.
Strukturat e drejtësisë janë subjekt i ndërhyrjeve politike, ndërsa gjykatat shihen të ngarkuara me lëndë të pazgjidhura.
Gjendet një mekanizëm në fuqi për procedurat disiplinore kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, por nuk është efektiv. Autoritetet nuk i kanë zbatuar gjithnjë urdhrat e gjykatës, duke përfshirë edhe ato të Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht ato vendime që kanë qenë në favor të pakicave.
Raporti përmend edhe zbatimin e marrëveshjes për sistemin e drejtësisë në veriun e Kosovës, të banuar nga shumica serbe, ku nga tetori ka filluar integrimi i gjykatave në sistemin juridik të Kosovës. Kushtetuta dhe ligji sigurojnë lirinë e shprehjes, e qeveria në përgjithësi e ka respektuar këtë, thuhet në raport.
Në raport shkruhet gjithashtu se, njoftime të besueshme janë shprehur se ka pasur tentativa për të frikësuar përfaqësuesit e medies, dhe këto të fundit kanë hasur gjithashtu vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike, siç parashihet me ligj.
Raporti vë në pah kufizimet në lirinë e lëvizjes, të shkaktuara nga situata e tensionuar në veriun e Kosovës, si dhe vështirësitë në kthimin e personave të zhvendosur. Në raport theksohet se, me gjithë pohimet për shpërbërjen e tyre, qeveria e Serbisë ka vazhduar të mbajë disa nga strukturat e saj paralele në komunat me shumicë serbe.
s.a/dita
