DASH për trafikun njerëzor: Përparim i lehtë në krahasim me 2013-n

anazapta

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin vjetor të trafikimit të personave për 2013-n, i cili shënon një përparim të lehtë të vendit tonë në klasifikim. 

Nga lista e vëzhgimit “Grupi 2”, ku ishte një vit më parë, Shqipëria tani renditet më lart. Raportin e paraqiti në Uashington, shefi i diplomacisë amerikane, John Kerry.

“Ky nuk është thjesht një raport, është një thirrje për veprim, është një apel ndaj ndërgjegjes”, u shpreh Sekretari i Shtetit, Kerry.

Dokumenti tregon se Shqipëria vazhdon të konsiderohet një vend burimi dhe destinacioni për burra, gra dhe fëmijë, të cilët i nënshtrohen trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe punës së detyruar, si brenda vendit, ashtu dhe në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Zvicër, Irlandë dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Qeveria nuk i përmbush plotësisht kushtet minimale për eliminimin e trafikimit, thuhet aty, megjithatë po merren masa të konsiderueshme në këtë drejtim. Tetorin e 2013-s u emërua një koordinatore e re kombëtare anti-trafikim, e cila në Dhjetor mori nismën e ngritjes së një “Task-Force” të posaçme për të përmirësuar koordinimin midis policisë, prokurorëve dhe gjykatësve.

Agjencitë e zbatimit të ligjit, vazhdon raporti, e përmirësuan të kuptuarit e një përqasjeje ndaj trafikimit njerëzor me viktimën në qendër, ndonëse duhet edhe më shumë punë, sa i takon përmirësimit të eficiencës së tyre operative, në identifikimin e rasteve dhe çuarjes drejt ndjekjes penale.

Qeveria e shtoi nivelin e viktimave të identifikuara, por një numër i vogël autorësh të trafikimit u ndoqën penalisht dhe u dënuan.

DASH rekomandon hetimin dhe ndjekjen penale në mënyrë energjike të kundravajtjeve të trafikimit dhe ndëshkimin e autorëve të tyre. Nga Shqipëria kërkohet të sigurojë, që viktimat të kenë akses te ndihma, mbështetja dhe mbrojtja specifike, përfshirë këtu shërbimet e riintegrimit; të ofrojë financim për OJQ-të, për strehat dhe shërbimet e ndihmës për viktimat, përfshi nëpërmjet fondit të posaçëm për parandalimin e krimeve; të zgjerojë njësitë e përbashkëta të lëvizshme, që administrohen nga grupet e shoqërisë civile dhe agjencive zbatuese të ligjit për të shtuar identifikimin e viktimave; të trajnojë prokurorë e gjykatës mbi amendamentet e fundit ligjore të lidhura me trafikimin, si dhe të trajnojë zyrtarët në njësitë për mbrojtjen e fëmijëve. / Top Channel

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *