Raporti i gënjeshtrës me të vërtetën

redaktor

(Frymëzuar nga libri i prof. Albert Frashëri, “Magjia e rilindjes kombëtare”)

 

Nga Nuri Dragoi

Populli shqiptar në këto 25 vite demokraci, edhe tash me “Rilindjen” e Edi Ramës,  ka mbetur i hutuar në udhëkryq, i kryqëzuar nga korrupsioni, nga mungesa e drejtësisë, mungesa e shtetit, nga një administratë inegzistente, nga zyra shteti të kthyera në dyqane, i rrethuar nga padija, nga mjerimi, nga degjenerimi i shkollës, degjenerimi i mendimit, i kërcënuar seriozisht për të nesërmen e vetë.

Shqipëria nuk ka Akademi Shkencash, nuk ka mendim që t’i paraprijë zjhvillimit ekonomik, t’u paraprijë interesave madhore të kombit. A keni parë e dëgjuar ndonjëherë, në këtë çerek shekulli, opinone të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për çështjet e marrëdhënieve me fqinjët, ku të sintetezohet e vërteta historike, mbi bazën e së cilës të ndërtojë politikat e veta qeveria? A keni dëgjuar ndonjë akademik të thotë dy fjalë për çështjet bujqësore, për ujitjen, kullimin, bonifikimin, për digat e ujëmbledhësve të rrënuar që janë kërcënim për fshatra të tëra, për farërat, fidanët, blegtorinë, për naftën që grabitet çdo ditë, për kromin, bakrin, hekurnikelin që nuk dihet ku shkojnë, për minierat që janë shembur, e bashkë me to dhe valuta kombëtare? Nuk keni dëgjuar dhe nëse vazhdohet kështu, nuk keni për të dëgjuar, pasi akademia dominohet nga të moshuar, nga njerëz që nuk mendojnë për të bërë këtë vend, por vetëm për pagën e tyre. Dhe nuk ka qenë kështu para viteve 1990, kur diploma e agronomit dhe veterinarit njihej në gjithë botën, kur Shqipëri merrte 32 kv grur për hektarë, nga 21 kv që merrte Greqia. Atëherë gjysma e puseve të naftës të studiuar nuk qenë venë në punë, ndërsa sot po shfrytëzohen barbarisht dhe shqiptarët veç humbasin. Bakri dhe kromi qenë me famë në botë, por ne i braktisëm, siç braksisëm tërë ekonominë, nën shembullin e “terapisë së shokut”. Vendi nuk ka shkencë dhe shkencëtarë, ndaj dhe kryeministri i di të gjitha, ndaj ministrat sillen si pronarë të një çifligu dhe jo si menaxherë.

 

Korrupsioni në shoqërinë shqiptare është shtrirë në të gjitha nivelet e administratës dhe kalohet përciptazi me shprehjen se ai shërben si “lubrifikant i shoqërisë kapitaliste” dhe se gjoja pa praninë e tij “nuk mund të vihet në lëvizje sistemi”. Mirëpo nëse nuk e denoncojmë me seriozitet korrupsionin dhe krimin, nese heshtim para gjithë kësaj katrahure që ka ndërtuar politika shqiptare, nuk bëjmë gjë tjetër veçse i hapim rruugën të keqes, që të përsëritet çdo ditë e më shpesh, të fuqizohet më tej, pra të bëhet legjitime, të fitojë qytetarinë.

Individualisht dhe në grupe shoqërore të vogla, shqiptarët shfaqin mospajtim me veprimet e politikës, mendojnë për një mënyrë tjetër të sjelljes së tyre ndaj qytetarëve, për qëndrim më dinjitoz ndaj çështjeve madhore kombëtare. Mirëpo këto opinione mbeten në mendjen e tyre, apo vetëm në tavolinën e kafesë. Nëse këto përsiatje individuale do të mund të bashkoheshin, me siguri do të na jepnin një tablo më të qartë për mënyrën e veprimit në dobi të së ardhmes së kombit.

Ende nuk po mundim të dalim nga praktikat e zbatuara në sistemin njëpartiak, që përbënte në vetvete një totalitarizëm të tmerrshëm, i cili zhduku mendimin intelektual të pavarur dhe bëri që gjithçka t’i besohej një personi, njëlloj si besimi te Krijuesi. Kjo frymë u përcoll në gjithë jetën shoqërore, duke dëmtuar rëndë të ardhmen e fëmijëve. E keqja është se politika shqiptare vazhdon ta ketë të vështirë të pajtohet me mendimin e përparuar intelektual, për një shoqëri të emancipuar, me njerëz të ditur dhe të përgjegjshëm në administratë, por rendet pas interesave të ngushta partiake e klanore, duke shkelur jo rrallë herë edhe mbi interesat madhore të kombit. Prandaj thuhet që kërkimi i të vërtetës nga gjithkush ndikon në çlirimin e njeriut nga amullia në të cilën është zhytur. Vetëm njohja e së vërtetës e bënë atë të ndërgjegjshëm për pasojat që sjell errësira, e keqja që ka mbërthyer ekonominë dhe kulturën e këtij vendi.

 

Partitë kanë brenda vetes njerëz të fuqishëm ekonomikisht, të cilët ndikojnë në hartimin e politikave të shtetit, në mënyrën e kompozimit të ligjeve të tij, imponojnë shoqërinë me anë të propagandës në media, bëjnë gjithçka që gënjeshtra te jetë sa më e besueshme, ta kthejnë atë në të vërtetë të padiskutueshme, duke e vështirësuar më tej mundësinë e dobësimit të së keqes, në duel me të mirën. Lidhur me këtë çështje, filozofi austriak Karl Popper, duke diskutuar rreth rrezikut më të madh që kërcënon demokracitë perëndimore, është shprehur që “rreziku numër një i demokracive tona është tjetërsimi i funksionit të mediave, shtypit dhe televizionit në radhë të parë”. (Albert Frashëri, Magjia e Rilindjes Kombëtare, Tiranë: Udha e Shkronjave, 2015, f. 8)

Shqipëria nuk ka drejtësi. Mjerë kush përballet me gjyqtarët, mjerë kush nuk ka para, kush nuk di të vjedhë dhe merr vesh pak nga kjo botë, sepse me sjelljet e tyre kthehet në depresiv, bëhet kriminel për të gjetur të drejtën me vetëgjyqësi. Në zyrat e drejtësisë shqiptare kërkohet hapur para, avokatët përdoren në rolin e skserit. Një gjyqtar, në gjykatën e Tiranës, më thoshte një ditë se është gabim të flitet për korrupsion, pasi korrupsioni është i pranishëm në të gjitha shoqëritë demokratike, ku më shumë e ku më pak. Ai këshillonte të mos shkruhej dhe të mos flitej më për këtë të keqe të madhe të shoqërisë, sepse humbet besimi te sistemi i drejtësisë, dhe pas kësaj, do të jetë edhe më keq. Sepse në fund të fundit, – shtonte gjyqtari, –  të gjithë detyrohen të falen para gjykatësit. Ai ende nuk e dinte që besimi në drejtësi ka vdekur, por ka ende njerëz gjallë që detyrone të gjunjëzohen para tyre. Dhe pas gjithë kësaj tabloje të zymtë, politika shqiptare heziton të miratojë reformën në drejtësi, vetëm pse rrezikohet karrikia për disa emra të përveçëm të saj. Ironi më të madhe nuk mund të ketë.

 

Siç shihet, korrupsioni dhe gënjeshtra në shoqërinë shqiptare shihen si elemente të shoqërisë njerëzore, e cila nuk mund të jetojë pa këtë të keqe. Në fakt, nuk është kështu, pasi njeriu si qenie shoqërore shquhet për intelegjencën, për aftësitë e tij krijuese, për parashikimin e të ardhmes dhe organizimin e jetës në mënyrë të tillë, që të krijohet një farë ekuilibri dhe të ruhet balanca, me tendencë në rritje të së vërtetës. Natyrisht, kur këtë konflikt e dominon gënjeshtra, kuptohet që një e keqe edhe më e madhe kërcënon shoqërinë. Naim Frashëri e njihte mirë këtë konflikt dhe pasojat që rridhnin prej tij. Duket se profesor Albert Frashëri është njohës i thellë i veprës së tij, ndaj na citon vargjet e poetit kombëtar në poezinë “Dit’e zëzë”.

Ishte bërë sterrë tej përtej jeta, / E ishte një tmerr, tmerr i mirzitur, / Se kishte humbur gjith’ e vërteta / Se gjithë bota isht’e mahnitur. / Paudhësia dhe ligësia / Ishin bërë mbret mbi dhet e shkretë / Dhe të këqijat e padija / Kishin zenë vënt për të vërtetë. ……………. Lëfton Gënjeshtra me të Vërtetën / Dhe errësira dritën lëftonte, / Që t’errësonte së gjithash jetën / Dhe djallëzia të mbretëronte.

 

Të ngrihesh kundër këtij mentaliteti, kundër këtij rrjeti kriminal që ka ndërtuar shoqëria shqiptare, është heroizëm. Rebelimi ndaj padrejtësisë ka kosto të madhe. Por dikush duhet ta marrë mbi supe një barrë të tillë, dhe besoj se kjo i takon rinisë intelektuale. Rinia e sotme me mendësi europiane, ajo pjesë e rinisë që është shkolluar dhe ka ideale, nuk duhet të njëhësohet me llumin e moshatarëve të tyre të paditur, por që janë militantë partije e në saje të këtij avantazhi rrinë gjithë ditën në kafe, vjelin paratë e popullit pa i dhënë asgjë atij. Natyrisht që duhet guxim. Për këtë sjellim si shembull po Naim Frashërin. Gjykuar nga vepra e tij, pas më shumë se një shekull, shihet se poeti kombëtar ka qenë mjaft i guximshëm. I revoltuar nga padrejtësitë e kohës, ai shkruan: “Në epokën e gënjeshtrës, të thuash të vërtetën është një akt revolucionar”.

Në ditët tona gënjeshtra ka fituar qytetarinë. Sa më shumë të gënjesh aq më shumë i besueshëm bëhesh. Kryeministri Edi Rama, pak kohë më parë, duke akuzuar opozitën për shpifje, solli para kamerave praktikën e ndjekur nga Hitleri, sipas të cilit sa më shumë të gënjeje, sa më e madhe të qe gënjeshtra dhe sa më shpesh të përsëritej ajo, aq më i besueshëm bëhesh në popull. Duket se nga motive të tilla udhëhiqet edhe qeveria.

 

Te poema “Bagëti e Bujqësi” Naim Frashëri tregon se dhe vetë Perëndia e sheh çfarë padrejtësie bëhet në tokë, ndaj i drejtohet njeriut me fjalët: “Të kam dhënë mënt të mësosh, / të vërtetën me të ta shohç”. Dhe më tej vijon: “Do të të lë dhe nevojën, udhën të të tregojë, / Gjith të mirat që janë, këtu në dhet i kam mbuluar….Nxirr të vërtetën sheshit, paskëtaj të mbretërojnë, / Errësira të përndahet, gënjeshtra të pushojë”.

Ky është një problem i madh, pasi kur mbretëron e keqja, i hapet rrugë shtypjes, krimit, genocidit, vrasjeve, përdhunimeve, shfarosjeve masive të popullsisë, mjerimit ekonomik, politik, social, rrëmbimit të territoreve etj.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *