Raporti i KE: Rritja ekonomike e vendit tonë, 1.8 për qind për vitin 2014

redaktor

Vendi ynë dhe pse kaloi një vit të vështirë financiar, ka shënuar rritje ekonomike. Rritja më e madhe ka qenë në tremujorin e tretë të vitit 2014. Kështu konfirmon raporti paraprak i Komisionit Europian, për tremujorin e katërt për vendet kandidate dhe potenciale kandidate për në BE, i publikuar dje.

Raporti vlerëson se rritja ekonomike në 2014-n të ketë qenë rreth 1.8%, më e ulët se parashikimi i qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, që parashikonin një rritje 2 për qind. Për Shqipërinë, raporti vlerëson rikthimin e rritjes ekonomike në tremujorin e tretë me 3.3% me bazë vjetore, e udhëhequr nga tregtia e shërbimet, ndërtimi dhe më pak industria.

Sipas raportit, të dhënat, të mbështetura nga treguesit e tregtisë me pakicë, konfirmojnë se fuqizimi i konsumit privat vazhdon dhe ka një ndikim të ndjeshëm në përshpejtimin e rritjes. Nga ana tjetër raporti vlerëson se pavarësisht se kredia është gjallëruar, niveli i huave me probleme (NPL) është rritur më tej.

Në tremujorin e tretë, NPL-të përbënin 24.9 % të huave totale, në rritje nga 24.1 % në tremujorin e mëparshëm. Kjo sugjeron se procesi në vazhdim i kthimit të detyrimeve të prapambetura nuk ka pasur një ndikim të ndjeshëm dhe kërkohen më shumë përpjekje për të pastruar bilancet e bankave në një mënyrë të qëndrueshme.

Raporti vlerëson rritjen e të ardhurave buxhetore, me 12.6% me bazë vjetore për 11 mujorin, megjithëse 0.7% më pak se plani i rishikuar, por thekson se ulja e deficitit buxhetor ka ardhur më të shumti nga rënia e shpenzimeve për investime.

Shqipëria pritet të ketë pasur rritjen të ulët në raport me vendet e tjera, përveç Serbisë, ekonomia e të cilës është reduktuar me 2% në 2014-n. Maqedonia vlerësohet të jetë rritur 3.9%, Mali i Zi me 2% dhe Turqia 2.8%. Në raportin, që botohet çdo tre muaj, analizohen ekonomitë e Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës, Bosnjë Hercegovinës, Turqisë dhe Islandës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *