Këshilli i Europës në Strasburg në raportin e tij të publikuar mbi analizën e gjendjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe ligjit, ka vënë alarmin mbi krizën e paprecedent mbi dhunimin e të drejtave të njeriut në Europë, që prej Luftës së Ftohtë.
Raporti thekson se, dhunime serioze që përfshijnë korrupsionin, mosndëshkimin, racizmin, fjalimet e urrejtjes dhe diskriminimit, janë në rritje në të gjithë kontinentin.
Të drejtat e njeriut, sipas raportit, janë të kërcënuara gjithashtu edhe nga impakti i krizës ekonomike dhe pabarazisë në rritje.
Sipas Raportit të KE-së, kriza në Ukrainë ilustron gjithashtu, qartësisht rreziqet me të cilat Europa përballet. Raporti sjell shembullin e Ukrainës, ku mungesa e një gjyqësori të pavarur dhe mungesa e sistemit të kontroll-balancës, që një parlament funksionues dhe media e lirë duhet të kenë, kanë lejuar një korrupsion të përhapur dhe keqpërdorim të pushtetit në mënyrë të pakontrolluar. Kjo ka shkaktuar mosbesim, pakënaqësi sociale dhe në fund një revolucion. Aneksimi i Krimesë nga Federata Ruse, nëpërmjet një akti të njëanshëm është qartësisht në kontradiktë me Kushtetutën ukrainase, duke provokuar një krizë të plotë në të gjithë Europën.
Tortura dhe keqtrajtimet: Në lidhje me torturën dhe keqtrajtimin, raporti thekson se mungesa e hetimeve efektive çon në pandëshkueshmëri. Burgjet janë në mënyrë kronike të mbipopulluara dhe ka trajtim të papërshtatshëm të kategorive të caktuara (personat me kombësi të huaj, të dënuarit me burg të përjetshëm, etj), si edhe përdorim i tepruar i izolimit nëpër qeli.
Gjyqësori: Për sa i përket gjyqësorit, raporti nënvizon ndërhyrje të ekzekutivit në funksionimin e tij, korrupsion, mungesë të besimit publik ndaj sistemit, procedura të zgjatura në kohë dhe mos zbatim të detyrueshëm të vendimeve gjyqësore.
Korrupsioni: Në lidhje me korrupsionin raporti vlerëson se kemi financim të korrupsionit politik, paprekshmëri ndaj përndjekjes juridike, mungesë të integritetit parlamentar dhe gjyqësor, dhe korrupsion në administratat publike.
Liria e shprehjes dhe e shtypit: Kërcënim të lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit, duke përfshirë dhe dhunë ndaj gazetarëve. Masa shtrënguese joproporcionale mbi lirinë e grumbullimit, duke përfshirë përdorimin e dhunës së tepruar në shpërndarjen e tyre.
Demokracia: Pamjaftueshmëri të ndarjes së pushteteve ndërmjet degëve të legjislativit dhe ekzekutivit dhe/ose ndërmjet qeverive lokale dhe qendrore. Dobësim i qeverisjes demokratike për shkak të krizës ekonomike. Rritje të influencës të axhendës ekstremiste dhe populiste.
Kultura demokratike: Rënie e pjesëmarrjes në votime, investime të ulëta në kulturën demokratike dhe edukimin si dhe forma të reja të marxhinalizimit dhe diskriminimit.
Të drejtat sociale: Politika shtrënguese që kanë minuar të drejtat sociale dhe jo koherencë ndërmjet ligjeve dhe principeve të Kartës Sociale Europiane të BE-së.
Diskriminimet etnike dhe minoritete kombëtare: Rritje të ideologjive nacionaliste dhe raciste. Konflikte ndër-etnike që rrezikojnë stabilitetin demokratik. Fjalime urrejtje, krime të urrejtjes dhe diskriminim etnik.
Këshilli i Europës rekomandon gjithë shtetet anëtare, në mënyrë që të parandalojnë kriza të tilla, të angazhohen për të plotësuar tërësisht Konventën Europiane të Drejtave të Njeriut dhe konventat e tjera të kësaj organizate. Shtetet Anëtare sipas rekomandimeve, duhet të veprojnë në mënyrë urgjente, për të ndaluar këtë erozion të të drejtave themeltare.
Raporti analizon thellësisht gjendjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit në Europë dhe është kërkuar zyrtarisht për t’u hartuar nga Komiteti i Ministrave. Sekretari i Përgjithshëm i KE ka propozuar gjithashtu, mbajtjen e një Samiti kushtuar Sigurisë Demokratike, e planifikuar për vitin 2015./im.ta/