Qeveria e Kosovës ka përgatitur një raport të sajin për bisedimet me Serbinë. Raporti i nënshkruar nga Edita Tahiri, kryetarja e delegacionit për Kosovën në Bruksel, paraqet arritjet dhe sfidat që mbeten për t’u zgjidhur.
Disa prej marrëveshjeve të arritura, si kodi telefonik për Kosovën, asociacioni apo heqja e barrikadave në Mitrovicë nuk janë zbatuar ende. Raporti thekson se qeveria e Serbisë përdor standarde të dyfishta.
“Me këtë rast dëshiroj të theksoj këtu paradoksin kryesor që vjen nga qasja e dyshimtë e Serbisë në këtë dialog. Kjo për shkak se, Serbia nga njëra anë punon për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, ndërsa nga ana tjetër vazhdon të mbështesë strukturat e saj ilegale paralele në Kosovë.
Kjo qasje e dëmshme e Serbisë ka çuar në një situatë paradoksale ku të dy strukturat si ajo legale dhe ashtu edhe ajo ilegale komunale veprojnë në pjesën veriore të Kosovës dhe më gjerë. Prandaj, Serbia paraqet veten para BE-së si palë që po respekton marrëveshjet e Brukselit, ndërsa në terren ajo ende vazhdon ndërhyrjet në Kosovë”, thuhet në raport.
Për këtë arsye, qeveria e Kosovës thekson se krijimi i asociacionit të komunave serbe nuk mund të kryhet pa shpërbërjen e strukturave paralele.
“BE-ja i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese, prandaj Grupi Punues trepalësh do të mblidhet në Bruksel për të zgjidhur këtë çështje. Puna rreth hartimit të statutit të asociacionit dhe asaj për largimin e strukturave paralele do të zhvillohet paralelisht”, thuhet në raport.
Më tej theksohet se qeveria e Kosovës kërkon zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura përmes dialogut me Serbinë.