Raporti i monitorimit: 43 bashki nuk kanë raportuar treguesit financiarë

Edona Llukacaj

Projektbuxheti për vitin 2020 ka parashikuar një shtesë të fondeve të bashkive deri në 11.2%, duke vënë theksin te performanca e tyre.  Ndonëse disa bashki shprehen të pakënaqura me këtë rritje dhe kërkojnë më shumë fonde nga buxheti i shtetit apo të ardhura nga projektet në qarqet e tyre, pjesa më e madhe e bashkive mbijetojnë me transfertat e pakushtëzuara. Për më tepër, pushteti lokal ka një performancë shumë negative në raport me transparencën e punës ndaj qytetarëve por edhe ndaj qeverisë.

Raporti i Përputhshmërisë së monitorimit të performancës në nivel bashkie, i publikuar për herë të parë, vë në dukje se në raportimin e treguesve financiarë, të cilët bëjnë të mundur vlerësimin e qëndrueshmërisë së njësive të qeverisjes vendore, 70.4% prej tyre, apo 43 bashki nga 61 në total nuk i kanë raportuar.

Ndërsa për 6 bashki të tjera nuk ka asnjë informacion, duke bërë që vetëm 12 bashki në total të jenë transparente në raport me treguesit financiarë, që lidhen me mënyrën e përdorimit të fondeve publike dhe ruajtjen e disiplinës fiskale. Bashkitë e rregullta janë Skrapari, Shijaku, Belshi, Gjirokastra, Kolonja, Korça, Maliqi, Kukësi, Lezha, Tropoja, Shkodra dhe Vlora. Ndërkaq,  rreth gjysma e bashkive në vend nuk raporton të ardhurat e planifikuara sipas burimit dhe të ardhurat e planifikuara përkundrejt të realizuara.

Po ashtu, lista e investimeve dhe detaje të projekteve më të rëndësishme, janë raportuar vetëm nga 46% e bashkive, çka do të thotë se më shumë se gjysma nuk jep llogari se ku i përdor fondet e taksapaguesve shqiptare dhe me sa efiçencë janë vënë në përdorim,  për ti kthyer në shërbime më të mira për qytetarët./ Scan

e.ll./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *