Prokuroria për krime të rënda zgjeron grupin hetimor për dosjen voluminoze të Shërbimit Informativ Shtetëror, për kultivuesit e kabanisit dhe zyrtarët e përfshirë në trafik.
Drejtuesi i prokurorisë Besim Hajdarmataj, ka ndarë informacionet e SHISH në bazë të qyteteve dhe volumit të kanabisit të mbjellë duke ia ndarë dosjen disa prokurorëve.
Për informacionin e qarkut të Durrësit, dosja i është dhënë një prokurori, që mbulon edhe zonën e malësisë së Krujës. Një prokuror tjetër është caktuar për zonën e Lezhës dhe Mirditës, siç është caktuar edhe një prokuror për Shkodrën dhe Dukagjinin. Për zonën e Korçës dhe Përmetit dy prokurorë të tjerë.
Në bazë të informacioneve të SHISH-it, zona e jugut rezulton si zona me më shumë sipërfaqe të mbjellë me kanabis në të gjithë Shqipërinë, raporton ABC News. Për këtë fakt, këtë zonë po e hetojnë një grup prokurorësh të drejtuar nga Vladimir Mara.
Zyrtarisht prokurorët nuk preferojnë të flasin për hetimin e kësaj dosje. Ata thonë se informcioni është shumë kompleks, siç është edhe hetimi i dosjes, për shkak se aty janë evidentuar edhe disa emra drejtuesish të policisë së shtetit, shefa komisariatesh, shefa krimesh e inspektorë të shumtë të zonave të ndryshme.
SHISH ka evidentuar në raportin voluminoz edhe emrat e disa administratorëve të njësive vendore dhe kryepleqve të fshatrave. Në dosje, thuhet se disa prej zyrtarëve të policisë dhe administratorëve e kryepleqve janë përfshirë direkt në kultivimin e kanabisit dhe një pjesë tjetër luan rolin e ndërmjetësit dhe garantit për mosshkatërrimin e këtyre parcelave.
Në raportin e SHISH-it që tashmë po hetohet nga prokuroria për krime të rënda, është evidentuar se gjatë këtij vitit janë shumëfishuar zonat e kultivimit të hashashit. Nga ana tjetër policia e shtetit pretendon se vetëm gjatë këtij viti janë asgjesuar mbi 1.3 mln rrënjë kanabis sativa në të gjithë Shqipërinë.
