Banka Qendrore e Austrisë ka publikuar një studim me të dhëna mjaft interesante sa i përket integrimit europian gjatë 30 viteve të fundit.
Në analizë, Banka Qendrore e Austrisë merr edhe vendin tonë, si një prej atyre shteteve që është munduar vazhdimisht këto tre dekade të integrohet ekonomikisht me Europën, si formalisht, ashtu edhe jo-formalisht.
Një prej të dhënave që del në pah nga raporti, është edhe ajo e pjesës së popullsisë që mban euro cash.
Kjo normë fiksohet në diçka më shumë se 30% të popullsisë në të dhënat më të fundit, që i referohen viteve 2017-2018.
Grafiku tregon qartë se, norma është në rritje krahasuar me vitet e kaluara – raporton Scan.
Pra, pavarësisht politikës së deuroizimit të Bankës së Shqipërisë, “dashuria” e shqiptarëve për euron sa vjen e rritet.
Në vitet 2007-2008 norma ka qenë më e lartë se sot, në rreth 32%. Pas këtyre viteve norma ra deri në rreth 26% në vitet 2013-2014.
Krahasuar me rajonin, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë një normë popullsie që posedon para cash në euro, më të lartë se vendi ynë.
Por, sa është sasia mesatare e parave në euro që mbajnë shqiptarët cash, nëpër duar?
Edhe kësaj pyetje i jep përgjigje Banka e Austrisë. Sasia mesatare e eurove cash që mbajnë shqiptarët fiksohet në 200 euro për periudhën 2017-2018. Kjo sasi është në rritje të ndjeshme krahasuar me periudhën 2015-2016, por sërish shumë larg niveleve të viteve 2007-2012, kur shqiptarët kishin thuajse 400 euro cash për frymë.
Sipas të njëjtit raport një në tre shqiptarë beson se, në harkun e 5 viteve të ardhshëm, leku nuk do të jetë më monedha vendase.
o.p. / dita
