Komisioni i Trashëgimisë Botërore i ka dërguar një letër Ministrisë së Turizmit, të cilën renditen një sërë masash që kanë nevojë për implementimin para takimit të UNESCO-s për të diskutuar se cilat objekte kulturore hyjnë në listën e trashëgimisë botërore në rrezik. Anëtarët e Forumit të Mbrojtjes së Trashëgimisë thonë se në letër renditen të njëjtat objekte për të cilat ata kanë ngritur shqetësimin disa herë. “Shqetësimi i UNESCO-s është në vijim të atyre që ne themi çdo ditë. Madje po thotë më pak nga ato që kemi thënë ne”, thotë Auron Tare për Shqiptarja.com.
Letra e UNESKO-s dëshmon dëmet e shkaktuara në sitin arkeologjik të Butrintit në Sarandë, si dhe mungesën e kontrollit qeveritar mbi ndërtimet pa leje mbi trashëgiminë. Në letër shprehet shqetësimi se nuk është bërë asnjë progres për t’u prezantuar në raportin e zbatimit që do të shqyrtohet nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në datat 16-27 qershor. Gjithashtu, i njëjti shqetësim shprehet edhe në lidhje me ndërtimet e paligjshme dhe mungesën e mirëmbajtjes në Berat e Gjirokastër.